Lajme

Operatorët me ankesa po e zvarrisin qe dy vjet tenderin e ushqimit për ushtarët

01/12/2020 21:01
nga:B. D

Ushtria e Kosovës assesi të rehatohet me proceset e prokurimit për ushqim.

Ka rreth dy vjet që është duke vazhduar përzgjedhja e një kompanie me procedura të negociuara të prokurimit.

Kjo, pasi tre operatorët konkurrentë vazhdojnë ta rrëzojnë njëri-tjetrin në këtë proces prokurimi që ka nisur që nga 16 prilli i 2018-s.

Operatori i fundit që është ankuar është konzorciumi Florenti, Sori-Al dhe Ushqimi, kurse ankesa e tyre ka arritur në OSHP, një natë para Vitit të Ri.

Fillimisht, tenderin e kishte fituar grupi i operatorëve “Global Parajsa”, Ciano Trading dhe Services derisa oferta e tyre për 24 muaj ishte 7 milionë e 211 mijë euro.

Të pasuksesshëm u shpallën furnizuesi aktual i ushqimit në FSK, Beni Dona dhe konzorciumi Florenti, Sori-Al dhe Ushqimi, pasi që të dyja kishin ofertuar me çmim më të lartë.

Operatori ekonomik Florenti, pretendon se Ministria e FSK-së i ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, vlera e të cilëve sipas tyre, arrin në dhjetëra mijëra euro.

“Dëmet materiale janë të mëdha si në aspektin financiar, e po ashtu edhe në dëmtimin e reputacionit dhe prestigjit të grupit tonë si kompani serioze. Duke i marrë për bazë të gjitha vonesat nga AK-MM lidhur me; Faktorin Kohë, aspektin psikologjik, materialin, gjithashtu edhe shpenzime për sigurime dhe deponim ankesave, shpenzime në konsolidimin e grupit dhe dorëzimin e dëshmive shtesë, të gjitha këto arrijnë një vlerë 5-shifrore”, thuhet në pretendimin e këtij operatori ekonomik.

FSK-ja nuk është përgjigjur në pyetjet e KTV-së, por deri më tash, ka vazhduar me procedura të negociuara të prokurimit që parashihen me ligj kur dështojnë proceset e prokurimit.

FSK-ja edhe më 2016, ka pasur probleme me tenderin e ushqimit, vlera e të cilit atë kohë ishte 8 milionë euro, për të cilat pati raportuar KTV-ja.

Televizioni kishte gjetur se dy ish anëtarët e OSHP-së Ekrem Salihu dhe Tefik Sylejmani, e kishin aprovuar ankesën e operatorit ekonomik “Florenti&Korabi Company” dhe si pasojë, kishin anuluar operatorët ekonomikë të tjerë si të papërgjegjshëm, ani pse votimi ishte bërë pa kuorum.

Madje, për këtë çështje ka pasur edhe një proces gjyqësor, duke përfshirë aty edhe votimin që Tefik Sylejmani kishte bërë për vete, me çka ishte caktuar në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryetarit të OSHP-së, ndërsa vendimi është nënshkruar më pas nga anëtari Ekrem Salihu dhe vetë Tefik Sylejmani.

Por, pas një procesi gjyqësor, aktakuza e prokurorit Ibrahim Berisha ishte hedhur poshtë dhe më 2018-n, Salihu dhe Sylejmani u shpallën të pafajshëm nga Themelorja, derisa vendimi është vërtetuar pastaj nga Gjykata e Apelit.