Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë të ditur se në takimin e mbajtur sot me bizneset e prekura nga vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për kalimin në tregun e lirë të energjisë, u kërkua nga Qeveria dhe ZRrE-ja që të reflektojnë ndaj kërkesave të sektorit privat.
Në njoftimin e lëshuar nga OEK thuhet se bizneset theksuan nevojën për një fazë tranzicioni, e cila do të mundësonte përgatitjen e tregut me më shumë ofertues dhe konkurrencë të drejtë dhe transparente.
“Gjatë kësaj periudhe, u kërkua të hartohet një paketë mbështetëse, përmes së cilës do të inkurajohej investimi i bizneseve në panelet solare dhe bateri, si dhe të hiqen kufizimet ekzistuese që aktualisht e pengojnë shfrytëzimin, futjen në rrjet apo shitjen e energjisë së prodhuar nga burimet solare nga vetë bizneset”.
“Kjo do t’u mundësonte bizneseve të bëjnë investimet e nevojshme dhe të përgatiten për dalje të rregullt në tregun e lirë, në një afat të dakorduar bashkërisht ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve përgjegjëse, përfshirë Qeverinë dhe ZRrE”, thuhet në njoftim.
Ndër tjera, shtohet se disa biznese kanë njoftuar se kanë ndërprerë punën që nga data 1 qershor, të tjera kanë filluar reduktime të kapaciteteve, ndërsa shumica kanë paralajmëruar se nëse nuk ka ndryshime, nga data 1 korrik 2025 do të ndalojnë punën apo do të bëjnë reduktime të mëdha të punëtorëve.
“Bizneset kanë shprehur shqetësim për thirrjet nga KEK, sipas të cilave, në rast të mosnënshkrimit të kontratës, do të ndërpritet furnizimi me energji elektrike, duke e shtuar edhe më shumë pasigurinë në treg”.
“Njëkohësisht, i bëhet thirrje Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) që të informojë më gjerësisht komunitetin e bizneseve rreth ofertës së saj komerciale, në mënyrë që ato të kenë më shumë zgjedhje dhe mundësi për furnizim të qëndrueshëm me energji”, thuhet në njoftim.
Në rast të mungesës së reflektimit institucional ndaj kërkesave të drejta të bizneseve, OEK thotë se është paralajmëruar organizimi i një proteste të radhës, ditën e mërkurë, më 11 qershor 2025, në sheshin qendror të Prishtinës, ku përfaqësues të kompanive, pronarë dhe punëtorë do të protestojnë së bashku për të kërkuar një qasje të drejtë dhe të zbatueshme ndaj kalimit në tregun e lirë të energjisë.


