Sporti

Odegaard paralajmëron Porton: Jemi përgatitur për përmbysjen, atmosfera do të jetë fantastike

03/11/2024 23:19
nga:E K

Këtë të hënë, Martin Odegaard foli në konferencën për shtypin para ndeshjes mes Arsenalit me Portos, e cila pritet të jetë një betejë e vërtetë në “Emirates Stadium”.

Kapiteni i “Topçinjve” iu referua ndeshjes së fundit të londinezëve, ndaj Brentfordit (2-1), duke theksuar momentin e mirë që po kalon skuadra e Artetës dhe motivimin e lartë të liderëve aktualë të Premier Leagues:

“Mendoj se ishte një test i mirë për ndeshjen e nesërme kundër Portos. Na u desh të përballeshim me situata të ndryshme, me shumë kohë të humbur, shumë ndërprerje… Na u desh të kontrollonim emocionet gjatë gjithë lojës dhe mendoj se ia dolëm shkëlqyeshëm. Tani jemi në krye të Premier League-s dhe duhet të vazhdojmë këtë moment të mirë. Ky është qëllimi ynë.”

Presioni: “Të gjitha skuadrat e mëdha luajnë me presion të madh. Mendoj se kur luajmë në Premier dhe në Champions, ka shumë presion dhe ne duhet të dimë se si ta përballojmë atë. Është pjesë e futbollit dhe mendoj se jemi mësuar me të. Na pëlqen ai presion. Mendoj se jemi një skuadër më e mirë në krahasim me sezonin e kaluar, kemi bërë afrime cilësore, si dhe kemi fituar përvojë dhe kemi mësuar ta përdorim në avantazhin tonë këtë sezon”, theksoi norvegjezi.

Sa i përket ndeshjes së parë, e cila u mbyll me fitoren 1-0 të Portos, Odegaard theksoi se nuk ishte një paraqitje e mirë nga londinezët, por garanton se objektivi është përmbysja e rezultatit dhe kalimi në raundin tjetër:

Në “Dragão” nuk luajtëm lojën tonë më të mirë. Nuk ishim mjaftueshëm të mirë me topin dhe e pamë këtë në fund të lojës. Të gjithë folëm dhe kuptuam se çfarë duhej të bënim ndryshe. Të tregosh një anë tjetër nesër është motivim i mjaftueshëm për ne, ndaj jemi gati për ndeshjen. Sa herë që luajmë, duam të tregojmë diçka. Atje, nuk mendoj se kemi pasur ndonjë goditje në portë, nuk ishte loja jonë dhe kjo është ajo që duam të ndryshojmë nesër. Besoj se do të ketë një atmosferë fantastike në stadium”.