Debat

Obama, një idealist në një realitet të ashpër

12/31/2016 06:30
nga:Cindy Saine

Presidenti Barak Obama është në ditët e fundit në detyrë si presidenti i 44-rt i Shteteve të Bashkuara.

Politikani 47-vjeçar, që erdhi në pushtet duke premtuar shpresë dhe ndryshim, largohet pas 8 vitesh me shkallën më të lartë të miratimit sesa çdo president tjetër i periudhës moderne, rreth 59 për qind. Zoti Obama largohet, ndërsa politikania që ai priste ta zëvendësonte, Hillary Clinton, pësoi humbje të thellë përballë republikanit Donald Trump. Zoti Trump ka premtuar se do të zhbëjë shumë prej politikave themelore të paraardhësit të tij. Korrespondentja e “Zërit të Amerikës” në Shtëpinë e Bardhë u hedh një vështrim disa prej momenteve kryesore që u bënë përcaktuese për Barak Obamën si udhëheqës, por edhe si njeri. Imazhi i afro-amerikanit të parë të zgjedhur President i Shteteve të Bashkuara, kapur për dore me bashkëshorten dhe dy vajzat e tij, mund të ketë ndryshuar përgjithmonë perceptimin e amerikanëve mbi atë se kush mund ta fitojë Shtëpinë e Bardhë.

“Nëse ka ndonjë njeri që ende dyshon se Amerika është vendi ku çdo gjë është e mundur, nëse ende pyet veten a është gjallë edhe sot ëndrra e themeluesve tanë, që vë në pikëpyetje forcën e demokracisë sonë, sot ka marrë përgjigjen”, tha presidenti Obama. Amerikanët e vlerësojnë shumë zotin Obama për rolin e tij si prind, edhe pse nuk bien dakord me disa prej politikave të tij. “Ndoshta më shumë se çdo president tjetër, ai ka integruar jetën familjare me udhëheqjen e vendit, dhe kjo nuk është një gjë e lehtë”, thotë Alan Lihtman, historian presidencial. Në fillimet e presidencës së tij, zoti Obama u përqendrua në kapjen e Osama Bin Laden-it, udhëheqësit të Al-Kaidës, gjë që nuk e bëri dot ish-presidenti George W. Bush. Në mbrëmje vonë, në 2 maj të vitit 2011, presidenti Obama iu drejtua popullit amerikan: “Sonte mund t’u them amerikanëve dhe botës se Shtetet e Bashkuara drejtuan një operacion ku u vra Osama Bin Laden, udhëheqësi i Al-Kaedës dhe një terrorist që është përgjegjës për vrasjen e mijëra burrave, grave dhe fëmijëve të pafajshëm.”

Por kjo fitore e madhe u pasua me fillimin e luftës civile vdekjeprurëse në Siri. Në 21 gushtin e 2012-ës, zoti Obama i bëri një paralajmërim presidentit sirian Bashar Al-Assad, paralajmërim i cili nuk do t’i ndahej presidentit amerikan. “Nuk mund të lejojmë që armët kimike dhe biologjike të bien në duart e njerëzve të gabuar. Kemi qenë shumë të qartë me regjimin e Assad-it, por dhe të aktorëve të tjerë në terren; vija e kuqe për ne është atje ku shohim të qarkullojnë apo përdoren armët kimike”. Një vit më vonë, vëzhguesit thanë se ushtria e Assad-it vrau më shumë se 1 mijë persona me gaz sarin. Ndryshe nga ç’pritej, Shtetet e Bashkuara nuk u përgjigjën me përdorim force. Një ekspert sirian thotë se ky ishte momenti kur u thyen shpresat e shumë sirianëve. “Çka po ndodh në Siri është vetëm një tjetër betejë, në luftën e madhe atje”, – thotë Haid Haid, i organizatës “Chatham House”.

Brenda vendit, pas incidenteve me sfond racor, presidenti Obama foli mbi gjendjen e marrëdhënieve racore në Amerikë. Masakrimi i 9 afrikano-amerikanëve në një kishë në qershorin e vitit 2015, e bëri presidentin të reflektojë për qëndrimin e mbajtur nga familjet e viktimave, të cilat e falën personin e armatosur. “Nëse e përqafojmë këtë gjest, gjithçka mund të ndryshojë”. Në skenën botërore, zoti Obama u shkëput prej politikës së kaluar duke krijuar hapje historike me Birmaninë dhe Kubën. Në Havanë ai komunikoi direkt me popullin kuban. “Në shumë mënyra, Shtetet e Bashkuara dhe Kuba janë si dy vëllezër, të larguar prej shumë vitesh edhe pse kanë një gjak”. Presidentit duket se i pëlqen ndërveprimi me të rinjtë, sikurse me këtë grup nga Vietnami: “Përpara se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, pse nuk këndon pak, të shohim ç’di të bësh”. Megjithëse mandatit të tij si president po i vjen fundi, zoti Obama thotë se ky është vetëm fillimi i përpjekjes së tij globale për të nxitur të rinjtë të vihen në role udhëheqëse.

02/18/2019 15:06

Protestoi mbi skelën e kryeministrisë, 80-vjeçari nga Lezha: Do vazhdoj deri sa të më dalë shpirti