Anëtari i PSD-së, Nol Nushi, ka akuzuar ashpër Qeverinë Kurti për dështimin në përpjekjet për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE), duke e cilësuar këtë si një “kronikë të një ngjarjeje të paralajmëruar.”
Sipas tij, Qeveria Kurti ka tentuar të fshehë përgjegjësinë për këtë dështim, duke manipuluar opinionin publik dhe duke e paraqitur këtë si një befasim, ndërkohë që ky dështim ishte i pashmangshëm për shkak të politikave të gabuara të qeverisë.
“Dështimi i antarësimit të Kosovës në KiE ka qenë ‘kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar’. E kemi dit prej fillimit se antarësimi aty nuk është ashtu siç po na e thotë Qeveria ndonëse qeveria ka dasht me e shit në publik ndryshe që pastaj për dështim mos me fajësu veten por me fajësu ata që s’po na pranojnë. E kemi dit prej fillimit se aty nuk është thjesht një proces i plotësimit të disa kritereve të thjeshta, ai është një proces edhe politik. Këtë gjë e ka dit edhe qeveria por ata po ‘shiten’ të befasuar në mënyrë që t’a shfajësojnë veten. Problemi këtu është qe qeveria e ka pranuar një marrëveshje me Serbinë, ‘Marrëveshjen e Ohrit’ të rrjedhur nga marrëveshja e Brukselit dhe ajo tashmë ka me qenë “alfa dhe omega” për secilën tentativë të qeverisë tonë për me u antarësu në ndonjë organizatë apo për ndonjë njohje apo për çfarëdo marrëdhënie bilaterale me ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare”, thotë Nushi.
“Letra e garancisë dërguar nga Gërvalla besoj e përshkruan më së miri natyrën se qysh kjo qeveri i sheh gjërat që janë komplekse të ndodhin. Ajo m’u duk si ‘aksham pazar’ , praktikisht e futi në pazar draftin e Asociacionit dhe sigurisht që në minut të fundit ata nuk kanë patur asnjë interes me pranu këso situate gati intriguese në kuptimin që ‘bëjeni ju e bëjmë edhe ne’. Besoj se ajo veç e ka degradu edhe më shumë pozicionin e Kosovës edhe e ka betonu edhe më shumë Draftin e Asociacionit”, shton ai.
Nol Nushi për Expose, prodhim i GazetaBlic tha se Kosova është larg njohjeve të reja, pasi siç thotë ai, në sytë e gjysmës së botës nuk jemi shtet.
“Eshtë problem me sjell njohje nëse nuk na njeh Serbia. Nëse nuk kemi një marrëveshje të plotë normalizimi sidomos me njohjen e Serbisë në të, është problem me na njoht shtetet tjera. Ne kemi stagnuar me një numër të caktuar të shteteve që kanë njëfarë influence të fortë të perëndimit, konkretisht, Amerikës dhe disa shteteve të tjera të QUINT-it. Por është hargju ajo ‘kartë’, tanimë ka vazhdu procesi negociator për normalizimin e marrëdhënieve dhe pa një marrëveshje politike mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të ëndërrojmë se do të kemi njohje të reja sepse ne në sytë e gjysmës së botës nuk jemi shtet”, përfundon ai.