Lajme

“Nuk patëm mirëkuptim për planin”/ AAK komenton vizitën e ‘pesëshes së emisarëve’: Marrëveshja që mbështetet nga SHBA duhet të nënshkruhet

2 vite më parë
nga:N M

Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovës- Serbi, Mirosljav Lajçak, emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri i Gjermanisë, Jens Plettner, ai i Francës, Emmanuel Bonne dhe këshilltari për politikë të jashtme dhe siguri të kryeministres të Italisë, Francesco Talo, kanë takuar mëngjesin e sotëm kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, raporton Gazeta Blic.

Kjo vizitë e pesëshes së emisarëve që për më shumë se dy orë qëndruan në Kosovë, e ku vetëm takuan kryeministrin e Kosovë, është përpjekje e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BAshkimit Evropian që Kosova dhe Serbia sa më parë të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.

Pas takimit me kryeministrin Kurti, Lajcak tha se nuk ishte takim i lehtë duke thënë se diplomatët e SHBA dhe BE kishin pritur një mirëkuptim më t madh nga ana e qeverisë së Kosovës për planin franko gjerman.

Kësisoj Miroslav Lajcak shprehu dëshpërimin e tij për takimin dy orësh me shefin e ekzekutivit.

Por cilat janë mesazhet dhe çfarë po sheh Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nga kjo vizitë?

Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të AAK i ka thënë Gazeta Blic, se si parti opozitare parlamentare janë në terr informative por gjithçka që po arrijnë të kuptojnë janë mesazhet ‘koduara’ sipas tij të diplomatëve të BE dhe SHBA-së.

“E para, si parti opozitare nuk kemi asnjë informacion se çka ndodh në takime të tilla brenda, por po e kuptojmë nga mediet dhe po mundohemi të deshifrojmë mesazhet e diplomatëve. Ajo që dihet është se kjo qeveri nga prioriteti numër 7, tashmë ka kthyer dialogun si prioritet kryesor apo numër një. Janë shpenzuar më shumë se dy vjet në dialogun Kosovë- Serbi dhe për ne si AAK duhet të ketë një marrëveshje që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e që në këtë marrëveshje duhet të jetë edhe njohja e ndërsjella Kosovë – Serbi”, tha Tahiri.

I vetmi që ka folur pas takimit me shefi ne Qeverisë, ka qenë Mirosalv Lajcak.

“Jemi këtu sot një delegacion i fuqishëm i përbërë nga përfaqësues të SHBA-të, BE, si dhe Francës, Italisë e Gjermanisë. Ky është një sinjal i rëndësishëm për angazhimin tonë të fuqishëm që të arrijmë një marrëveshje mes Kosovës dh Serbisë” deklaroi Lajcak.

“Qëllimi i takimit me Kurtin ishte të ta diskutojmë propozimin e normalizimi të marrëdhënieve mes dy vendeve të propozuar në dhjetor. Takimi zgjati mbi dy orë që tregon se nuk ishte i lehtë, por i hapur dhe i sinqertë. S’duam të japim deklarata dramatike sepse jemi në mes të një procesi dhe do të vazhdojmë tani drejt Beogradit. Ajo çfarë dua të them është se kemi pritur një mirëkuptim më të madh për mundësitë që ofron ky propozim. Shpresoj që të arrijmë atje ku e kemi synim dhe do të vazhdojmë të angazhohemi në këtë drejtim” ka thënë Lajçak.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ende nuk është deklaruar për takimin me diplomatët me SHBA dhe BE, pos një video që ka nisur për media nga ky takim.