Ish kryeinspektori i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ramadani, në një intervistë për BlicInterview me Astrit Gashin, ka folur për zhvillimet aktuale në vend, sulmin terrorist në veri të Kosovës, gabimet që bëri grupi, suksesin e Policisë së Kosovës e shumë të tjera.
Ai tregon se a pritet të ketë luftë në Kosovë.
“Unë besoj që siguria në Kosovë është sfiduar jashtëzakonisht shumë nga ky sulm direkt, sulm i një grupi i organizuar nga Serbia, në të cilin është sfiduar edhe NATO. A do të ketë luftë? Normalisht që probabiliteti është shumë i vogël por se Kosova duhet të jetë e gatshme që ta ndërtojë partneritetin edhe më shumë, edhe pozicionimin për të mbrojtur Kosovën”, thotë Ramadani.
Sipas tij, janë tri pika të rëndësishme që Kosova ta ndiejë veten të mbrojtur.
“Janë tri pika që janë të rëndësishme që Kosova ta ndiejë veten të mbrojtur: 1.Zhvillimi dhe mirëmbajtja e kapaciteteve të sigurisë; 2. Koordinimi i saktë me prezencën ndërkombëtare ushtarake në Kosovë, KFOR-in, por mbi të gjitha një zhvillim më në detaje me NATO-n, sepse edhe NATO është sfiduar këtu dhe 3. Aspekti i veprimit politik me SHBA-të, aleatët veç e veç dhe NATO-n, për zgjidhje politike që janë jo të imponuara, sepse besoj që ky veprim, ky akt ka pasur synim që të imponojë zgjidhje politike dhe kjo zgjidhje e imponuar nuk duhet të lejohet nga Kosova”, shprehet ai për BlicInterview.
Ish kryeinspektori i AKI-së vlerëson se ky rast ka qenë një prej reagimeve më së miri të koordinuara me partnerët ndërkombëtarë, por që duhet të rriten kapacitetet në sektorin e sigurisë, pasi do të ketë periudhë sfiduese dhe nuk ka përfunduar me largimin e këtij grupit terrorist nga Kosova.
“Besoj që ky ka qenë një prej reagimeve më së miri të koordinuara me partnerët ndërkombëtarë dhe kjo është ajo çka ka kërkuar secili në Kosovë, që institucionet e Kosovës të kenë koordinim me faktorin ndërkombëtar. Në aspektin e kapaciteteve, normalisht që gjithmonë ka nevojë që të rriten kapacitetet në sektorin e sigurisë, edhe një investim shtesë nuk i bën dëm as buxhetit, ndërsa në aspektin politik besoj se Kosova duhet të jetë në një vijë të përbashkët strategjik sepse periudha në vijim do të jetë sfiduese po ashtu, nuk ka përfunduar me largimin e këtij grupi terrorist apo paramilitar”, potencon Burim Ramadani.
Se çka duhet pritur tutje pas këtij sulmi terrorist, ai thotë se nuk ka përfunduar dhe pret rigrupim të individëve apo grupeve dhe të ndodhë sërish diçka e njëjtë, për çka shteti duhet ta rrisë vëmendjen.
“Unë besoj që ky ka qenë një paralajmërim për aftësinë apo potencialin e vërtetë dhe të rrezikshëm të sfidimit dhe kërcënimit edhe atakimit të Kosovës dhe të njëjtën kohë sfidimit dhe vendimmarrjes së NATO-s, pra Serbia ka dëshmuar që ka potencial të tillë të çmendur për të shkuar në drejtim të atakimit dhe sfidimit të sigurisë në Kosovë dhe në raport me NATO-n, porse pas këtij dështimi brutal që i ka ndodhur, normalisht që edhe zhvillimi apo riorganizimi i grupeve të caktuara mund të jetë një prej sfidave kryesore të sigurisë, pra, unë nuk pres që ka përfunduar, pres që rigrupimi i individëve, qoftë në mënyrë individuale apo grupore dhe me sponsorizimin të shtetit të ndodhë sërish dhe për këtë duhet rritur absolutisht vëmendja”, deklaron Ramadani./Gazeta Blic/