Opinion

Nuk e shpikëm rrotën

06/20/2018 16:42
nga:Naim Jakaj

Kuvendi i Republikës së Kosovës, muajin e kaluar i miratoi tre rezoluta të propozuara nga grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate.

Asnjë votë kundër, me dy apo tre apstenime, Kuvendi e miratoi Rezolutën për heqjen e roamingut, për unionin doganor dhe për heqjen e kontrollit në pikat kufitare Republikën e Kosovës me atë të Shqipërisë.

Me 12 korrik të vitit 2017, u mbajt Samiti i Triestes ku aty u fol për një angazhim të përbashkët që vendet e rajonit të afrohen më shumë me Bashkimin Europian.

E si të bëhej kjo? Përgjigja e thjeshtë dhe e saktë, përmes Zonave Ekonomike Rajonale.

Por, a mund të bëhet kjo kur fqinji ynë Serbia nuk na njeh, nuk bashkëpunon me ne, por na lufton? Sërish, po. E si?

Së pari, bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duhet të heqet nga përgjithësimi i një bashkëpunimi me Evropën Juglindore.

Kujtesa historike dhe vazhdimësia territoriale janë faktorë kyç për marrëveshje bilaterale kur ekziston mundësia dhe vullneti.

Por, kjo don angazhim konsistent institucional dhe të përcaktuar në afate kohore dhe në objektiva të qarta.

Kjo nuk është parë deri më tani.
Edhe pse është rritë shkëmbimi tregtar dhe bashkëpunimi doganor, marrëveshjet e nënshkruara nuk përbëjnë një bazë të plotë për unifikimin doganor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë.

Përpos vullnetit, politikat e mirëfillta kanë munguar. As nuk ka pasur angazhim konsistent institucional, por vetëm sporadik, e as strategji konkrete për ta bërë unifikimin doganor.

Kjo vërtetohet edhe me atë që nuk është hedhë as hapi kryesor, ai i unifikimit të politikave fiskale, si parakusht për sigurimin e bashkimit doganor.

Ne nuk shpikëm asgjë të re për të tre çështjet.

Qeveri të shteteve të tjera, me marrëveshje multilaterale dhe bilaterale hoqën barriera të shumta për njerëzit, për çka votohen, për çka edhe zgjidhen për ta drejtuar më së miri jetën e njerëzve të rëndomtë.

Në këtë kuptim, ne nuk propozuam asgjë më shumë se sa shtetet nordike të cilët e nënshkruan Konventën e Pasaportave në vitin 1957 për ta përditësuar në vitin 2002.

Palët krijuan marrëdhënie të lira midis shteteve nordike, e hoqën detyrimin për qytetarët e tyre për të udhëtuar me pasaporta, ndërsa veturat lëvizin nëpër pikat kufitare me një shpejtësi të reduktuar (30 km/h), ndërsa i lejojnë të huajt të udhëtojnë drejtpërdrejt nga një shtet nordik në tjetrin nëpërmjet një pike të kontrollit kufitar të autorizuar.

As roamingu nuk ishte gjë e re. Bashkësi shtetesh, marrëveshje multilaterale dhe bilaterale u bënë e tarifat u zbritën e në disa vende u hoqën tërësisht. Ne po mbesim në fund te fundit.

Me 19 mars 2013, Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë nënshkruan Marrëveshjen për bashkëpunimin në fushën e teknologjisë së informacionit e të komunikimit (TIK).

Palët u pajtuan për një angazhim të përbashkët për zvogëlimin e tarifave të Roaming-ut bazuar në Rregulloren e Këshillit Evropian për Roaming të datës 13 qershor 2012.

Por, që hapa konkretë asnjëherë nuk pati. Sipas statistikave zyrtare gjatë një viti kalendarik udhëtojnë deri në 840 mijë shtetas të Kosovës në Shqipëri.
Për fund, t’i kthehem disa fakteve që janë të palëkundshme në lidhje me roamingun.

Në bazë të studimit të Këshillit Regjional për Bashkëpunim për të gjitha vendet e Ballkanit, të kryer në fillim të vitit 2016, numri i thirrjeve të qytetarëve të Kosovës të bëra gjatë qëndrimit në roaming në Shqipëri në gusht të vitit 2015 ka qenë 200.000 mijë, ndërsa për 3 mujorin e verës ka qenë rreth 500.000 thirrje gjatë qëndrimit në romaing në Shqipëri, me çmime të ndryshme por dukshëm më të larta (3-8 më shtrenjtë sesa brenda operatorëve në mes tyre në Kosovë apo Shqipëri).

Ngjashëm vlen edhe për thirrjet e pranuara, me një përqindje pak më të madhe të qytetarëve të Kosovës gjatë qëndrimit në Shqipëri, ku janë pranuar rreth 550.000 thirrje gjatë 3 muajve të kohës së qëndrimit të tyre në Shqipëri.

Po ashtu shifra të njejta kemi edhe për numrin e sms-ëve të dërguar dhe pranuara gjatë qëndrimit në Shqipëri, ku kuptohet se në 3 muajt e verës këto shifra e arrijnë pikun, me rreth 1.2 milion sms të dërguar dhe pranuar në 3 muajt e verës Qershor-Korrik – Gusht 2015.

Krejt, në fund, mos të harrojmë se ndërtimi i autostradës së kombit, e reduktoi kohën e udhëtimit nga 10 orë në 2.5-3 orë, qarkullimi ditor i mjeteve arrinë në 12,000 vetëm gjatë sezonit të verës, kurse në ditët jashtë sezonit në 5000.

E kur e përkthejmë në shifra vjetore i bie që këtë autostradë e qarkullojnë rreth 1.8 milionë mjete, nga të cilat rreth 20% janë mjete të transportit të mallrave.

E rëndësishme për Kosovën, duhet të jetë ulja e varësisë tregtare me Serbinë dhe orientimi i shkëmbimit tregtar me dhjetëra vende të tjera evropiane. Për Kosovën me më shumë rëndësi do të ishin mallrat nga Kroacia dhe Sllovenia sesa Serbia.

Të dy këto vende kanë përvojën e njëjtë sikurse ne me Serbinë. Kjo gjë përkthehet në racionalitet ekonomik dhe politik duke bërë kështu që interesat e përbashkëta të kombit të plotësohen me njëra tjetrën.

Por, për braktisjen, apo lënien në gjysmë të këtyre projekteve duhet të përgjigjet qeveria e kaluar e po ashtu edhe kjo e tanishmja.

Naim Jakaj
Këshilltar i Nënkryetares së Kuvendit