Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur lajm shumë të mirë dhe të gëzueshëm njohjen nga Kenia për Kosovën, raporton Gazeta Blic.
Ai ka falënderuar presidenten Vjosa Osmani dhe ish-presidentin Behgjet Pacolli për rolin e tyre, e po ashtu ka shprehur mirënjohje për presidentin e Kenias.
Postimi i tij i plotë:
Njohja e Republikës së Kosovës nga shteti i Kenias na gëzon të gjithëve dhe është lajm shumë i mirë për Republikën.
Falënderoj presidenten e vendit Vjosa Osmani dhe ish-presidentin Behgjet Pacolli për rolin e tyre, krahas edhe të gjithë atyre që kontribuan në këtë arritje.
Mirënjohje për presidentin e Kenias William Samoei Ruto, i cili mori vendimin dhe hapin historik drejt afrimit të Kenias me Republikën e Kosovës dhe hapjes së rrugës për ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve tona.
Me vullnet e gatishmëri për bashkëpunim e partneritet të ngushtë në këtë kapitull të parë të marrëdhënieve me Kenian, që urojmë të jetë jetëgjatë, i frytshëm dhe produktiv.