Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, ka reaguar në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Kenias, duke e cilësuar të njëjtin si lajm të rëndësishëm.
Ajo në reagimin e saj ka thënë se njohjen nga Kenia e ka parë, qysh nga takimi që ajo me presidenten Vjosa Osmani kanë zhvilluar me ish-Presidentin Uhuru Kenyatta, duke mos përmendur fare ish-presidentin, Behxhet Pacolli, i cili e pranoi njohjen.
Gërvalla ka deklaruar edhe se presin ndërtimin e marrëdhënieve të mirëfillta diplomatike me Kenian.
Postimi i plotë:
Mirëpresim vendimin e Republikës së Kenias për të njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës, një lajm i rëndësishëm që thekson përparimin dhe forcimin e pozitës sonë në skenën ndërkombëtare dhe në kontinentin afrikan.
Nga takimi i parë që kemi pasur në vitin 2021 bashkë me Presidenten Vjosa Osmani me ish-Presidentin Uhuru Kenyatta, kemi parë rrugën graduale drejt njohjes reciproke.
Mezi presim ndërtimin e marrëdhënieve të mirëfillta diplomatike me Republikën e Kenias dhe fillimin e bashkëpunimit mes dy shteteve tona në fusha të ndryshme.
Ndryshe nga Gërvalla, Osmani ka falënderuar edhe Pacollin për kontributin e tij në këtë proces.
“Një mirënjohje e veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Falënderim të veçantë për angazhimin e vazhdueshëm të ish-Presidentit dhe ish-ministrit të punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli”, tha Osmani.