Lajme

Njohësit e çështjeve politike në vend: Rezoluta që ka të bëjë me zhvillimet në Ukrainë një plus për Kosovën në politikën e jashtme

02/28/2022 14:34
nga:Q R

Njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se rezoluta që ka të bëjë me zhvillimet në Ukrainë, do të ishte hap i madh dhe një plus për Kosovën në politiken e jashtme, shkruan Gazeta Blic.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi, vlerëson për ‘Gazeta Blic’ se Kosova edhe kësaj radhe e dëshmoi që është krah vendeve që e përkrahin demokracin.

Po ashtu, ai thekson se e mira e kësaj çështje është bashkimi i partive pozitë-opozitë krahas një kauze të tillë.

“Rezoluta për çështjen e Ukrainës do të ishte një hap shumë serioz, pra qëndrimi i Kosovës karshi botës demokratike, mendoj që Kosova gjithmonë ka qenë për vlerat Euro-atlantike, por edhe kësaj radhe Kosova e dëshmon që është krah vendeve që e përkrahin demokracin. Është hap pozitiv jemi plus në politiken e jashtme. Po ashtu e mira e kësaj është që të gjitha partitë pozitare dhe opozitare janë të bashkuara krahas një kauze për kohët e vështira që po i kalon gjithë sitemi ndërkombëtar”, deklaron ai.

Ndërsa, analisti i çështjeve politike, Shemsi Jashari, thotë për ‘Gazeta Blic’, se qëndrimi i Kosovës krahas situatës së Ukrainës është i qartë dhe se vendi yn rreshtohet gjithmonë krah vendeve demokratike.

Derisa shton se, Kosova duhet të shtoj kapacitete mbrojtëse.

“Qëndrimi i Institucioneve të Kosovës rreth situatës në Ukrainë tashmë është i qartë. Kosova reshtohet krah vendeve demokratike si SHBA-ja, NATO-ja dhe BE. Parlamenti, Qeveria, Presidenca, duhet të diskutojnë se si Kosova të përgatitet për të shtuar kapacitetet mbrojtëse të vetat”, deklaron ai.

Shefja e grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari- Lila, ka thënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit se të gjitha grupet parlamentare janë duke u koordinuar për të nxjerr një rezolutë në Kuvendi në Kosovës e që ka të bëjë me zhvillimet në Ukrainë dhe që lidhet me rreshtimin e shteteve përkrah aleatëve dhe atyre që janë kundër BE-së dhe NATO-s për luftën në Ukrainë, duke aluduar këtu për Serbinë, raporton Gazeta Blic.

“ Janë dy propozime njëra e GP të AAK që të diskutohet për sigurinë por edhe një propozim i GP të LVV që si Kuvend i Kosovës të unifikuar të nxjerrim një rezolutë që ka të bëjë e që duhet të jetë shumë e qartë për dallimin e shteteve që janë rreshtuar përkrah BE dhe NATO dhe atyre shteteve që refuzuan një gjë të tillë e siç është Serbia”, ka thënë Kusari Lila.

Kuvendi me rezolutë për zhvillimet Ukrainë – Rusi, goditet edhe Serbia