Opinion

Njëshat përballë «epidemisë teocidale»

04/23/2018 11:47
nga:Xhemal Ahmeti

 Shkruan: Xhemal Ahmeti

Përtej kufijve të kulturosferës shqiptare qëmoti ka nisur një lloj debati intelektual që konsiderohet si «Iluminizmi 2.0». Një lloj përballjeje me rikthimin e religjionit në trajtën e tij barbare dhe që supozohet se kërcënon shoqëritë sekulare dhe demokracitë liberale. Shkrimtari algjerian Boualem Sansal madje haptazi apelon për kundërvënie ndaj instalimit të një diktature religjioze me përmasa semikontinentale. Cili është diskursi shqiptar rreth kësaj teme që ngadalë bëhet histerike?

1.
Ka diçka aq hyjnore e të paprekshme në këtë botë që intelektualit nuk i lejohet ta mendojë në kontigencë, kontrafaktisht, ta trajtojë apo kritikojë? Asgjë – nuk ekziston esencë e kësaj natyre. Në këtë e sipër për atë poashtu nuk ekziston asnjë objekt, dukuri, subjekt, temë a dilemë brenda radarit së frymës së tij që të jetë aq e pavlerë e banale, saqë apriori ia dhuruakan komoditetin mos t’i mendojë apo trajtojë kur thirret për ta reflektuar ndonjërën prej tyre.

Para se të zhytemi edhe më thellë në temë mirëpo le t’i rendisim ca thasë rërë para kësaj kasolle mendimesh tona që mos vërshojë lumi i spekulimeve dhe hamendjeve se kush e merituaka të flasë e kush jo për tema lokale, universale, të kota e të rëndësishme. Le të sqarojmë se pari se cilët janë adresatët, se kë ne e konsiderojmë intelektual të thirrur me mandatin që publikisht duhet t’u përgjigjet dilemave aktuale të kulturosferave të caktuara.

Në këtë kontekst propozoj një kompromis zemërgjerë: le t’i pranojmë si intelektualë ata që vetëkonsiderohen të tillë, japin përgjigje për shumëçka, shkruajnë për çdo gjë dhe trajtohen nga shumica e mediave dhe institucioneve të shoqërisë si të tillë – botohen, publikohen dhe pyeten. Filozofët, intelektualët e modës pra. (Temën rreth inflacionit të kualifikimeve të padenja të subjekteve e kemi trajtuar shumë më herët e dhjetëra herë dhe nuk ia kemi dalë as mizën t’ua dëbojmë nga hunda e lere më më-tepër).
Që mos të krijojmë përshtypjen se përnjëmend kemi varrosur automodestinë dhe keqkuptohemi se tentojmë ta formulojmë ndonjë lloj «Novum organum scientiarum»-i mbi onto e antropo-logjinë shqiptare le ta konkretizojmë çështjen.
Cilat tema nuk i prek kjo kategori intelektuale shqiptare sikur të ishin të paprekshme, hyjnore dhe si i trajtojnë ato kur nuk kanë kah u ikin? Çka e sundon «Weltgeist» e Hegelit aktualisht si temë e sa e prek ky diskurs mentalitetin e kulturosferës shqiptare? Nëse jo pse dhe nëse po si?

2.
Shtytjen për ta bastisur e riaktualizuar konglomeratin e shënimeve të mia për këtë temë e bëri shkrimtari dhe publicisti Naser Aliu alias Lis Bukuroca dje, duke ma postuar si koment një lidhje që më drejtoi tek intervista e shkrimtarit algjerian Boualem Sansal, disat nga librat e të cilit si «2084-Fundi i botës» [2016], «Ma tregoni parajsën» [2003] dhe «Betimi i barbarëve» [1999] i kam lexuar. Kush ka lexuar këto libra dhe ato të domenit jofiktiv si «Blasfemia» e Zhizhekut, «Pas Zotit» e Sloterdijk-ut, «Vdekja e Zotit dhe kriza e kulturës» e Eageltonit, «Kush ka frikë nga Zoti» e Kühnlein-it, «Zoti dhe rendi» të Kudella-s, esetë e Reza Asllan dhe dhjetëra e qindra studime serioze të drejtimit e di se tema kryesore e diskurseve intelektuale universale tash e një dekadë është bërë ajo që rezulton nga pyetja «Kthehet religjioni në postmoderne me fytyrën e tij shpesh aq barbare ngase dështoi iluminizmi?». Dhe nëse dështoi iluminizmi atëherë ku? Kjo është pyetja jonë.
Se religjionet monoteiste si afekt doktrinash të sajuara në agimin e zgjimit intelektual të humanitetit manifestohen në formatin më të egër të tyre nuk kemi asnjë dilemë. Që ta shohim e ndiejmë këtë në humusin e vetëdijes sonë dhe deri në grimcat më subkutane të qenies postmoderne, kulturore apo pse jo edhe kombëtare nuk kemi nevojë të fiksohemi në lekturën e Orwell-it, Michel Houellebecq-ut dhe Boualem Sansal-it ngase atë e përjetojmë ne realitet, vetë. Megjithatë këta të përmendur intelektualë, shkrimtarë e filozofë janë ata që i kanë hyrë iluminizmit 2.0 për të korrigjuar gabimin eklatant që bënë Volteri, Kanti, Descartes, Leibniz, Newton, Spinoza, Holbach e deri tek Jürgen Habermas dhe gjithë ata të fazave e epokave me «dopio të vërtetën, atë dytehëshen» [Sipas Karsten Harries: 2012].
Cilën?

Atë që filozofi, matematikani dhe politikani francez poashtu i kohës së iluminizmit Marquis de Condorcet e quante «pamoralësi të tmerrshme» të iluminatorëve që qëllimisht mashtrojnë masat duke u kërkuar ta besojnë diçka si të mirë e të cilën e konsiderojnë vetë të keqen absolute. Ata kështu Condorcet për shumicën e iluministëve: «I mbajnë masat në ato pranga, të cilat i këputën vetë. Me ç’të drejte morale?».

Me ç’të drejtë morale mashtron Jürgen Habermas edhe në këtë kohë kur shtron tezën e llojit: «Vlerat si liria, autonomia, egalitarizmi dhe të drejtat universale duhet shikuar si rezultat i etikës hebreje të barazisë dhe etikës së krishterë të dashurisë» [Tekste dhe kontekste: 1992]. Pse jo të filozofisë ortodokse kineze si e para nga të gjithat, epit të Gilgameshit, hindu religjioneve homo-centrike, pse jo rezultat i arteve, sekularizmit? Pse komunitetet më të mëdha religjioze monoteiste abrahamite (hebrenjtë ortodoksë janë vëllezër me wahabistët për nga egërsia intolerante) as sot e kësaj dite nuk kanë arritur ta kuptojnë lirinë dhe bënë luftëra shekullore pikërisht kundër këtyre vlerave? Sepse Jürgen Habermas është fëmijë i Kantit, Leibniz, Newton-it në këtë drejtim dhe mashtron me plan; nuk ka guximin intelektual të kritikojë, ta thotë atë që mendon ngase i duhet popullariteti – si gjithë shoumenëve të shekujve të kaluar dhe këtyre sot që ende besojnë se mund t’i keqpërdorin këto masa për retrorevolucionet e tyre. E pa guxim jo retrorevolucione por as bakllava nuk bën dot sot!

3.
Është kjo frymë, ky program i trashëguar nga iluminizmi 1.0 që iluminizmi 2.0 ka marrë hovin ta korrigjojë. Natyrisht se kjo qasje, ky diskurs ofensiv i elitave intelektuale zhvillohet më lehtë dhe pa pasoja individuale në Paris, Lubjanë, Uashington apo Berlin e është tepër i rrezikshëm në Algjer (Boualem Sansal) e i pamundshëm në Prishtinë, Sarajevë, Beograd, Shkup, Tiranë, ngase përveç mungesës së guximit intelektual infektimi, e ashtuquajtura «epidemi teodicale» ka përlarë tashmë edhe strukturat pushtetore, institucionet arsimore, mediat dhe gjithçka.
Për këtë arsye njëshat që shkruajnë e kritikojnë afektet e religjioneve në fjalë, suspendimin e sekularizmit e të llojit linçohen aq lehtë ose përheshten, anonimizohen, nuk përfliten, injorohen, nuk diskutohen – jo se nuk ia vlejnë mendimet e tyre, porse nuk ka intelektualë me guxim që trajtojnë – pavarësisht qëndrimit pro apo contra një dukurie – tema që kërkojnë dinjitet, integritet, dije dhe autonomi.

4.
T’i rikthehemi temës që shtruam në fillim. Pse aq shumë të ashtuquajtur intelektualë shqiptarë nuk prononcohen kurrë as për korruptimin total të shtetit me fetë; as për radikalizmin vërtet teocidal të shoqërisë; as për hiçgjë. Ku janë romanet e tipit të Sansalit për anomalitë që sjellin radikalizmat, ekstremizmat ideologjik? Ç’është e vërteta ka një prodhimtari që banalizon qëllimisht manizmin (besimin në heronj, komb e atdhe = mirë kjo, pasi racionalizon dhe është preventive karshi fanatizmat eventual në këtë drejtim), nacionalizmin, mirëpo nuk ka art që vë në spikamë heronjtë religjiozë, mitet e tyre. Njëri që i vetmi e bëri këtë – edhe pse në hyrje ekstrem dhe parasaboton aspektin teleologjik të veprës, për të bindur pra tjerët – është Ibrahim Kelmendi me veprën e tij «Islami – religjion agresiv?». Ishte eseja e padenjë për tu diskutuar? Nuk ka apologji se qenka temë e paprekshme? Jo. Religjiozët e dinë se nuk i kundërshtojnë dot ato që shkruhen në Kuran, e që Kelmendi i ka sjellë të cituara e sekularët kanë frikë nga masat se i linçojnë rrugëve – prandaj nuk ka diskurs serioz intelektual, por vetëm ulërima fanatikësh të këtij apo atij tabori.
Si t’ia bëjmë kësaj punë brenda një kulturosfere kaq të infektuar, kaq frikacake ose kaq padije e pa guxim për t’iu përgjigjur temave aktuale, akute? (Vazhdon të premten).

07/22/2018 12:56

Kush afirmon ndarjen e Kosovës?