Cool

“Njeriu më i shpejtë në historinë e njerëzimit”

07/21/2019 09:56
nga:Blerim Halili

Australiani Chris Byrnes është një sportist i njohur botëror që merret me sportet ekstreme Wingsuit Flying (fluturimi me kostum). Ky 31-vjeçar i guximshëm, në fluturimet e tij shumë të rrezikshme me kostumin me krahë, sfidon gravitetin dhe mahnit njerëzit në të gjithë botën, shkruan Anadolu Agency (AA), transmeton Gazeta Blic.

“Fluturoj pa përdorur asnjë pajisje shtesë. Unë jam njeriu më i shpejtë në historinë e njerëzimit”, tha Chris Byrnes, sportisti i Flying Wingsuit i cili ka një rekord botëror me një shpejtësi prej 328 kilometrash në orë.

Byrnes, i cili së pari hidhet nga shkëmbinjtë e lartë dhe pastaj arrin një shpejtësi prej më shumë se 300 kilometra në orë në fluturimin e tij të rrezikshëm, thjesht të lë pa frymë. Ai kërceu nga pikat e larta në të gjithë botën dhe të gjitha këto i ka regjistruar me kamerën e tij të përforcuar në helmetën e tij. Të gjitha fluturimet i ka të xhiruara dhe i shpërndan në platformat sociale.

Pamjet tregojnë se çfarë sfide e rrezikshme është. Byrnes, pasi hidhet nga shkëmbinjtë e lartë, hap krahët e kostumit të tij dhe përshkon kanione të thella dhe lugina. Fluturimet e tij shpesh shoqërohen me ndërhyrje akrobatike ku fluturon me një person tjetër mbi supet e tij.

Byrnes vizitoi qytetin turk Erzincan, ku ishte mysafir i Festivalit Ndërkombëtar të Kulturës dhe Sporteve në të hapur. Me këtë rast, ai demonstroi fluturimet e tij dhe në një bisedë për AA, foli për mënyrën se si ka filluar të merrej me këtë sport.

Ai thotë se falë Wingsuit Flying ka vizituar shumë vende të botës dhe se ky është udhëtimi i tij i dytë në Turqi.

“Me sportin Wingsuit Exit u takova për herë të parë në internet, duke shikuar videot. Mund të them se isha i mahnitur dhe më pas fillova me kërkimet se si të merrem me këtë sport. Në moshën 25 vjeçare fillova të ndjek kurset. Të fluturosh është ëndrra e çdo njeriu”, thekson Byrnes.

Ai thotë se pëlqen të jetojë dhe të fluturojë dhe se fluturimi është një kënaqësi e madhe për të por shton se rreziku i vdekjes në këtë sport është shumë i lartë.

“Të gjitha fluturimet tona bëhen sipas një plani të veçantë kështu që ne planifikojmë me hollësi se nga cili shkëmb do të hidhemi, në cilën pjesë do të realizohet fluturimi ynë dhe në cilën pjesë do të ulemi në tokë. Ky sport kërkon që të mendoni dhe planifikoni se ku dhe si do të fluturoni, në të kundërtën mund të jetë rrezik për jetën. Sidoqoftë, përvoja është shumë e rëndësishme. Është e rëndësishme që të punoni shumë dhe të jeni të displinuar në mënyrë që të minimizoni të gjitha rreziqet”, tha Byrnes.

Ai gjithashtu thekson se vdekja është sigurisht një rrezik që është pjesë përbërëse e çdo planifikimi të fluturimit.

“Vdekja është padyshim një pjesë integrale e çdo planifikimi të fluturimit tonë. Katër nga miqtë e mi kanë humbur jetën duke u marrë me këtë sport. Unë jam prej tyre që dua të fluturoj, ashtu si dua dhe të jetoj, kështu që nuk dua të vdes. Besoj në aftësitë e mia dhe punoj në përmirësimin e tyre. Të jetosh 30 ose 100 vjet, doni apo nuk doni, në fund të gjithë ballafaqohen me një përfundim. Për mua është shumë e rëndësishme që çdo moment të jetës sime ta jetoj me mushkëritë e plota, kjo është bukuria e jetës”, tha australiani i ri.

Ajo që është e rëndësishme në këtë sport, thekson Byrnes, është se sportistët janë të fokusuar maksimalisht në çdo moment, apo se gjatë fluturimit nuk duhet të preokupohet me asgjë tjetër.

Byrnes thekson se atij i përket rekordi botëror me një shpejtësi prej 328 kilometrash në orë.

“Dëshira ime është që të thyej rekordin tim, prandaj stërvitem çdo ditë. Planifikoj që në gusht të këtij viti, me fluturimin në Zvicër, të thyej rekordin, por unë do të përpiqem edhe këtu. Ajo që unë e përdor në fluturim është vetëm fuqia tërheqëse e tokës. Fluturoj pa përdorur asnjë pajisje shtesë. Unë jam njeriu më i shpejtë në historinë e njerëzimit”, tha Byrnes.

Deri më tani me Byrnes janë takuar rreth 100 sportistë të kësaj fushe dhe mesazhi i tij për të rinjtë është të ndjekin ëndrrat dhe të arrijnë qëllimet e tyre.