Opinion

Njëri prej themeluesve të LDK-së: Bën thirrje për konsensus mes pozitës e opozitës për dialogun me Serbinë

12/21/2018 20:45
nga:Hafiz Gagica

Shkruan: Hafiz Gagica

Polarizimi dhe ndarja e skenës politike kosovare i ka tejkaluar normat dhe ligjet e demokracive të mirëfillta!

Ka kohë që skena politike dhe ajo publike kosovare janë polarizuar tej mase! Kjo formë e debateve pa kufi në Parlament dhe jashtë tij, si dhe zvarritja e zhvillimit ekonomik të vendit, e integrimit të tij në mekanizmat ndërkombëtare, etj., po dëshmohen se kanë qenë veprime të pastrukturuara politikisht dhe mjaft të dëmshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj!

Janë shumë të dhimbshme dhe po aq për keqardhje, thellimi i përçarjeve dhe kontradiktave politike midis partive parlamentare, pozitë-opozitë, siç ishte edhe vrapi i pa kuptimtë për pajtim dhe “normalizim” të marrëdhënieve me palën serbe, në dëm të shtetësisë së Kosovës. Më shumë se një veprimi të mençur politikë e gjitha i ngjante një loje të rrezikshme ruleti!

Është, po ashtu fakt i pakontestuar, madje i imponuar, se me palën serbe duhet të bisedohet për shumë çështje të pazgjidhura. Gjë e cila edhe ka ndodhur gjatë shtatë viteve të kaluara. Takime të cilat Kosovës nuk i kanë sjellë, rezultate të pritshme e as të kënaqshme!

Negociatat duhet të jenë të parapërgatitura mirë dhe mbi një platformë unike nacionale dhe politike. Duke mos harruar se bëhet fjalë për krimet dhe dëmet e luftës që regjimi kriminel i Serbisë ia ka bërë ndaj dy milion shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1990-1999.

Prandaj, si imperativ i kohës shtrohet kërkesa urgjente, para të gjitha subjekteve tona politike, që njëherë e mirë, të merren vesh për një konsensus të përbashkët dhe të domosdoshëm politik, para se të fillojnë negociatat e reja dhe shumë të vështira me palën serbe. Mbase, është koha për vendime të mëdha politike dhe historike, siç e ka vlerësuar me të drejt çastin aktual edhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, se palët negociuse duhet të marrin vendime të guximshme, por të drejta.

Jam shumë i bindur, se çdo vendim apo marrëveshje me palën serbe, e cila e cenon sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës dhe e cila marrëveshje nuk i përfshinë dhe garanton të drejtat politike dhe nacionale të shqiptarëve në Luginë si dhe kudo tjetër në Serbi, çështjen e mijëra shqiptarëve të masakruar e të zhdukur, duke shtuar këtu edhe reparacionet e luftës, do të jetë një marrëveshje e papranueshme dhe e refuzuar nga shqiptarët!

Hafiz Gagica
Stuttgart, 21.12.2018