Lajme

Një person ka vdekur e mijëra të tjerë janë prekur nga gripi sezonal në Kosovë

01/13/2020 16:34
nga:B. D

Rreth 12 mijë persona janë diagnostikuar si të prekur nga gripi sezonal në Kosovë në javët e fundit. Nga ta një person i moshuar ka ndërruar jetë si dhe një tjetër është i hospitalizuar pranë Klinikës Infektive. Por, ky numër nuk e kalon pragun epidemik, thonë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

E gjithë Kosova tashmë është kapluar nga virusi i gripit sezonal. Mijëra persona tashmë janë prekur nga ky grip. Nga ta një pacient ka gjetur vdekjen.

Detaje për gjendjen dhe të prekurit nga gripi ka dhënë drejtoresha e Klinikës Infektive të QKUK-së, Lindita Berisha. Ajo ka deklaruar se gjendja momentalisht nuk është alarmante.

Sipas saj, deri më tani në vendin tonë është shënuar një viktimë. Ai, sipas doktoreshës, kishte pasur edhe probleme të tjera shëndetësore.

“Gjendja për momentin mund të them se nuk mund të quhet alarmante. Një person për momentin e kemi të hospitalizuar. Ndërkohë për fat të keq një person ka vdekur. Ai ka qenë një i moshuar i cili ka pasur edhe probleme të tjera shëndetësore. Ndërkohë deri më tani të hospitalizuar në klinikën tonë kanë qenë shtatë persona”, tha Berisha.

E numri i madh i rasteve sipas zyrtarëve shëndetësorë raportohet të jetë nga Komuna e Prishtinës, pastaj nga ajo e Prizrenit dhe Podujevës.

Megjithëkëtë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në matjet e fundit ka vënë në pah se që nga muaji tetor i vitit që lamë pas e deri në dhjetorin e 2019-ës në këtë institut janë raportuar gjithsej 12 mijë e 331 raste të dyshimta me grip dhe 2 mijë e 40 raste me infeksion respirator akut.

Nga ky institucion shëndetësor thonë se në periudhën e gripave duhet të vaksinohen të gjithë personat e moshuar mbi 65 vjeç, si dhe personat me sëmundje kronike. Vaksinimi bëhet në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare.

Gjatë këtij viti, përkatësisht në muajin shkurt, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik pati shpallur gjendje epidemike të gripit. Ndërkaq, nga muaji tetor i vitit 2018 deri në shkurt të vitit 2019, nga gripi patën vdekur 11 persona.

Viruset sezonale, sipas mjekëve, bëhen më agresivë për shëndetin e njeriut kur ambienti është i papastër.

Kosova, aktualisht, është radhitur nga mekanizmat ndërkombëtarë në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë dhe ka cilësi të ajrit të pashëndetshme, e në disa ditë gjatë vjeshtës dhe dimrit, cilësia e ajrit bëhet e rrezikshme për shëndetin e njeriut./express

02/24/2020 21:33

Prej dhjetorit, në Kosovë kanë vdekur gjashtë persona nga gripi sezonal