Lajme

Një marrëveshje vërtet e keqe

04/20/2020 23:02
nga:Daniel Serwer

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Kurti, në një konferencë shtypi në “Zoom” këtë mëngjes, konfirmoi shumë dyshime:

Nga: Daniel Serwer

-SHBA-ja, në veçanti përfaqësuesi i posaçëm dhe Drejtori i Inteligjencës amerikane, Richard Grenell ka luajtur një rol të rëndësishëm në rrëzimin e Kurtit, i cili e ka humbur votën e mosbesimit, të përshëndetur prej SHBA-së.

-Grenelli i ka kundërshtuar përpjekjet e Kurtit për reciprocitet për Kosovën dhe në vend të kësaj insiston për heqje të njëanshme dhe të plotë të tarifave, të vëna nga pararendësi i Kurtit, mbi mallrat serbe, pa asgjë në shkëmbim nga Serbia.

-Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit duhet të mbahet nën ombrellën si të BE-së, ashtu edhe SHBA-së, jo njërës apo tjetrës, por që të dyjave bashkë.

-Kurti ka thënë se nuk është ftuar për një dialog të tillë, por vetëm për mundësinë që ta nënshkruajë shkëmbimin e territorëve (dhe të njerëzve) për të cilën kanë diskutuar presidentët Vuçiq dhe Thaçi.

-Ajo marrëveshje do t’ia jepte tri komuna me shumicë serbe (por jo Mitrovicën e Veriut) Serbisë, ashtu si edhe ta siguronte ekstraterritorialitetin për lokalitetet serbe në jug të lumit Ibër, ashtu si edhe një Asociacion të Komunave me shumicë serbe, në shkëmbim të vetëm një pjese të komunës së Preshevës.
-Kosova madje as që do ta siguronte njohjen nga Serbia, por në vend të kësaj njëfarë pranimi të “status-qusë”, ngjashëm si Gjermania Perëndimore dhe Lindore.

-NATO-ja do të vazhdonte ta mbronte Gazivodën, burimin kryesor të furnizimit me ujë në Kosovë.
-Kurti beson se Thaçi është duke e bërë këtë gjë për ta mbrojtur veten nga aktakuza prej Tribunalit Special në Hagë, por nuk sheh mënyrë që një marrëveshje e tillë të miratohet nga parlamenti i Kosovës, e aq më pak nga elektorati.

Albini po dëshmohet të jetë gjithnjë e më i popullarizuar në sondazhet e fundit, aq më shumë shkaku i insistimit të tij për reciprocitet me Serbinë, ashtu si edhe kundërshtimit ndaj planeve të Presidentit për shkëmbim territoresh/ njerëzish. Ai e ka bërë të qartë në komentet e tij se pret jostabilitet, po qe se largohet nga posti (dhe e ka lënë të kuptohet se nuk do të bëjë asgjë për ta diskurajuar një veprim të tillë). Ai do zgjedhje të parakohshme, të cilat pret t’i fitojë, mbase edhe me një shumicë absolute në parlament.

E tërë kjo po ndodh midis një epidemie koronavirusi, që mbetet sfidë e madhe për një shtet të varfër me sistem të dobët shëndetësor, që ka humbur shumë mjekë shkaku i emigrimit. Tani për tani, zgjedhjet e reja as që merren parasysh. Më shumë gjasa ka që presidenti Thaçi ta gjejë një shumicë alternative në parlament, e cila do ta emërojë një kryeministër të ri dhe do t’ia japë atij kompetencat e emergjencës që i ka synuar. Ato do të përdoren jo vetëm për ta luftuar COVID-19, por edhe për të vazhduar me marrëveshjen për shkëmbim territoresh, nën presion të amerikanëve, për t’i dhënë presidentit Trump diçka me të cilën ai mund të mburret gjatë fushatës zgjedhore në SHBA.

Është kjo një gjendje e shëmtuar, me implikime shumë më të gjëra në Ballkan dhe përtej. Shkëmbimi i territoreve do ta vleftësonte një koncept etno-territorial, të cilin Moska e ka ndjekur jo vetëm në Ballkan, në veçanti në Bosnjë, por edhe në Gjeorgji, Molldavi dhe Ukrainë. Presidenti rus, Putini do t’u gëzohej pasojave, rezultat ky që do të mirëpritej prej administratës etno-nacionaliste Trump.

Në mënyrë ironike, presidenti Vuçiq mund të jetë tani pengesa më e madhe drejt një marrëveshjeje të shpejtë. Ai e ka bërë të qartë se nuk do të vazhdojë deri pas zgjedhjeve në Serbi, të parapara të mbahen në prill, por që janë shtyrë shkaku i COVID-19. Duke e pasur parasysh këtë, marrëveshja që e ka paraqitur Kurti sot duhet të jetë më shumë se e kënaqshme për Beogradin, i cili nuk duhet të bëjë më shumë, pos të heqë dorë prej një pjese të komunës, popullsinë e të cilës e konsideron problematike. Me monetë të njëjtë, vështirë të kapërdihet se si dikur në Prishtinë do ta shqyrtonte një gjë të tillë.