Opinion

Një ditë paralajmërimi në vitin 2005

09/04/2018 15:36
nga:Selman Sokoli

Shkruan: Selman Sokoli

Një ditë derisa po flisja me disa miq për situatën në Kosovë dhe perspektivën e saj mu kujtua një episod interesant në vitin 2005 në objektin e Fakultetit Filozofik. Unë po vijoja studimet për drejtësi në Universitetin e Prishtinës dhe pasi që kryem ligjëratat shkuam në Fakultetin Filozofik me disa koleg.

Kishim dëgjuar që një nga përfaqësuesit e VETËVENDOSJE!-s kishte një ligjëratë për procesin negociator ndërmjet ekipit te Unitetit dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Ahtisari. Neve në atë kohe na u duk absurd se si pas luftës, masakrave të tmerrshme në Kosovë dhe gjashtë vite pas përfundimit të luftës Kosova për statusin e saj, duhej të negocionte me Serbinë nga e cila ishim çliruar apo jo në vitin 2005, me luftën e UÇK-së dhe ndërhyrjen e NATO-s që pasojë pas saj.

Djemtë e VETËVENDOSJE-s në atë kohë dukeshin simpatik, por ne dëgjonim propagandë të madhe kundër tyre, si: po duan ta pengojnë pavarësinë e Kosovës, janë të paguar nga Serbia, punojnë për agjendat ruse etj. Shkuam në njërën nga sallat e Filozofikut dhe pamë që aty kishte shumë të interesuar për të dëgjuar atë që kishte për të na thënë aktivisti i Lëvizjes.

Ai filloj të fliste për negociatat, standardet para statusit, eksterritorialitetin, decentralizimin etj. Na shpjegonte një hartë se si do të dukej decentralizmi, sipas tij do të krijoheshin disa komuna të reja serbe të cilat do të kenë kompetenca më shumë se komunat tjera në Kosovë. Thoshte se këtë hartë e kanë nxjerrë nga një sajt qeveritar serb dhe kur e kanë publikuar LV-ja ai dokument ishte hequr nga sajti.

Ne shikonim me habi mos është duke e tepruar ky njeri, por sidoqoftë vendosëm të rrinim në sallë për të dëgjuar ligjëratën. Pas pak filloj të fliste për zonat eksterritoriale ku thoshte se Serbia synon të krijoj sa më shumë zona eksterritoriale me sa më shumë territor dhe t’i përdor më vonë ato.

Përfaqësuesi i VV-së filloj të tregoj se si në zonat eksterritoriale të cilat janë zgjeruar me pronë publike dhe private popullata e asaj zone nuk mund të shfrytëzonte pronën e tyre. Kjo për ne ishte kulmi, me gjithë se kisha simpati për këtë lëvizje të të rinjve mu duk si retorikë e tepërt që Kisha dhe Serbia do të vendosnin se si do të shfrytëzohej ajo zonë. Manastiri i Deçanit psh. ka 1200 hektar dhe në ditët e sotme e shohim që Kosova nuk po mund të ndërtoj rrugën Deçan- Plavë për shkak të pengesave nga Manastiri.

Kompromiset e Kosovës në atë kohë që të “mbështjellura më pavarësi” nuk i kuptonim apo nuk donim t’i kuptonim na u dukshin si teprime retorike të LV-së. Por, sot jemi dëshmitar që ato që na dukeshin të paimagjinueshme janë dhjetëfishuar tani. Kemi parë se si janë themeluar 10 komuna me shumicë serbe, kemi parë kompetenca të zgjeruara për to, kemi parë eksterritorialitetin e 45 zonave në Kosovë. Të gjitha këto liderët e asaj kohe i mbështjellin me termin pavarësi.

Strumbullar i të gjitha këtyre ishte Hashim Thaçi, i cili për pushtet kishte dhënë sinjale të ndërkombëtarët që nuk do të jetë pengesë ne raport më pakënaqësinë e Serbisë, e cila negocioj, përfitoj pushtet për serbët në Kosovë dhe në fund u tërhoq për të mos e pranuar tërësinë e marrëveshjes. Ai në vitin 2011 filloj edhe një proces tjetër neociator me Serbinë për “çështje teknike” të cilat dolën të jenë më shumë se politike. Serbia përfitoj shumë me 33 marrëveshje të arritura.

Ndër marrëveshjet e arritura është edhe ajo për fusnotën që Edita Tahiri e quante flluskë bore që shkrihet me rrezet e para të diellit.

Sot, jemi dëshmitar që ajo “flluskë bore” e ka dëmtuar në themel shtetësinë e Kosovës. Thaçi kishte thënë që ëndrra e Serbisë për ndarje të Kosovës ka përfunduar në vitin 1999, edhe pse pas procesit negociator 2011-2017 Kosova përfundoj e ndarë administrativisht edhe përtej ahtisarit sepse ai kishte propozuar psh për Mitrovicën “ Një qytet , dy komuna” por realiteti tash është një qytet dy rajone, ku në veri ligjin e bënë Serbia herë me struktura paralele e here me uniformën e Policisë së Kosovës që janë MUP-ista që thjeshtë kanë ndërruar xhaketat.

Kohën e fundit Hashim Thaçi ka filluar të fletë për “korrigjim territoresh”, që i bie që një pjesë të Kosovës t’i kaloj Serbisë, herë mendohet se veriu e here për kopaonikun si të tërë që konsiderohet si kulmi i Ballkanit. Për çdo të keqe që ia ka bërë Kosovës Hashim Thaçi e ka pas togfjalëshin “në koordinim të plotë me miqtë ndërkombëtar”.

Tash duket që kjo ide është ide personale e tij dhe e Vuqiqit duke llogaritur deklaratat e SHBA-së të cilët kanë thënë që ne mund të përkrahim diçka nëse palët merren vesh. E ashpër është treguar Kancelarja Gjermane  Merkel e cila ka thënë që kufijtë në Ballkan nuk duhet të ndryshohen dhe se kjo është ide e rrezikshme. Në krahë Thaçit i kanë dalë disa miq ndërkombëtar të Serbisë. Së fundmi në përkrahje të idesë Thaçi- Vuqiq doli edhe partia neonaziste gjermane AFD.

Ato kompromise që Kosova i ka bërë Serbisë me ahtisarin, shpjegimi i të cilave nga përfaqësuesi i LV-në vitin 2005 na dukej si retorike e ekzagjeruar tashmë janë dhjetëfishuar, dhe siç duket Thaçi nuk ka tavan ku mund të ndalet në të keqen që i bënë Kosovës dhe shtetësisë së saj.

Por, tashmë populli e ka të qartë rrezikun nga Thaçi, frika nga specialja që e krijoj vetë po e shtynë të rrezikoj mundin qindra vjeçar të shumë gjeneratave të popullit shqiptar. Dhe për t’ia hequr mundësinë që të na dëmtoj edhe më shumë duhet t’ia heqim dyshemenë. Populli është gati për këtë dhe siç kishte thënë një profesor shqiptar në Paris: Na duhet urgjentisht rinisja.

(Autori është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje)