Spanja është një ndër vendet evropiane që nuk e ka njohur Kosovën.
E, që ajo ta njohë Kosovën si shtet sovran, Grupi parlamentar i partisë katalunase “Junts” ka ndërmarrë një nismë, ku planifikon që të martën të hedhë në votim në seancën plenare të Kongresit spanjoll një propozim jo legjislativ, me të cilin dëshiron që qeverisë spanjolle t’i kërkohet të njohë Kosovën si një shtet sovran.
Kjo nismë argumenton se Kosova është “një shtet ligjor dhe demokratik me rreth 1.7 milion banorë”, i cili njihet si shtet i pavarur nga mbi 100 vende, duke përfshirë 22 anëtarë të BE-së.
Lidhur me këtë nismë, për Gazeta Blic ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha.
Ai thotë se është një nismë që duhet përshëndetur, teksa uron që Spanja ta njohë Kosovën sa më parë.
“Një nismë shumë e mirë të cilën duhet ta përshëndesim. Urojmë që Spanja sa më parë ta njohë pavarësinë e Republikës sonë, por duhet të kemi parasysh dinamikat e brendshme të saj, të cilat janë edhe pengesa e mosnjohjes së deritanishme”, deklaron deputeti Agon Batusha./Gazeta Blic/