Lajme

Nisin negociatat për marrëveshje dypalëshe mes SHBA-së dhe Malit të Zi

12/10/2025 18:22
nga:N K

Si pjesë e Dialogut Ekonomik SHBA-Mali i Zi 2025, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mali i Zi njoftuan zyrtarisht fillimin e negociatave për të arritur një marrëveshje dypalëshe për të forcuar lidhjet tregtare, të investimeve dhe ekonomike, sipas “Vijesti”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës njihen globalisht për shpikjen, inovacionin dhe besueshmërinë e tyre ekonomike, dhe kompanitë amerikane po tregojnë interes në rritje për mundësitë e biznesit në ekonominë malazeze në rritje”, njoftoi sot ambasada e SHBA-së, në Podgoricë.

Qëllimi i negociatave është nxitja e investimeve më të mëdha nga sektori privat amerikan për të krijuar vende të reja pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Malin e Zi, të forcojnë rolin e Malit të Zi si aleat i NATO-s dhe të hapin mundësi të reja për prosperitetin e SHBA-se, Malit të Zi dhe rajonit më të gjerë.

Në nëntë muajt e fundit, Mali i Zi ka nënshkruar katër marrëveshje ndërshtetërore, me Francën, Hungarinë dhe dy me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Marrëveshjet me Emiratet e Bashkuara Arabe kanë të bëjnë me turizmin, pasuritë e paluajtshme, energjinë dhe teknologjitë digjitale.

Marrëveshja me Hungarinë fokusohet tek infrastruktura e transportit, digjitale dhe teknologjisë informative. Ndërsa ajo me Francën është një kombinim i projekteve infrastrukturore, energjetike dhe digjitale.