Janë rreth 450 000 nxënës, prej të cilëve 70 000 në kopshte, 280 000 në arsimin 9-vjeçar dhe 100 000 në gjimnaze që këtë të hënë ulen në bankat e rreth 1700 shkollave në të gjithë vendin.
Bashkë me nxënësit janë edhe rreth 23 000 mësues që rifillojnë procesin mësimor në shkollat e vendit.
Për herë të parë, në institucionet arsimore do të ulen rreth 29 000 fëmijë, një pjesë prej të cilëve (për shkak të ndryshimeve të fundit) edhe pa mbushur 6 vjeç.
Risi e këtij viti arsimor është se fëmijët në Shqipëri dhe Kosovë do të mësojnë me një abetare të përbashkët.
Ndryshe nga dy vitet e shkuara, nxënësit do të paraqiten në shkolla pa masat kundër Covid-19, por në institucione gjithsesi do të jenë të pranishëm dezinfektantët dhe termometrat për çfarëdolloj rasti.
Në pjesën më të madhe të shkollave ka përfunduar dorëzimi i teksteve shkollore të cilat për arsimin 9-vjeçar janë falas, megjithëse të përdorura.
Në Tiranë, mësimi do të jetë sërish me turne. Në të paktën 22 shkolla, nxënësit dhe mësuesit do ta zhvillojnë mësimin deri në orët e vona të mbrëmjes.