Opinion

Ngritja dhe rënia e një heroi

06/11/2018 14:06
nga:Leonard Komani

Ramush Haradinaj mund të bëhet hero për së dyti, duke shpëtuar shtetin e Kosovës ose humb respektin përgjithmonë, kështu duke mos nxirë vetëm veten në kujtesën e shqiptarëve, por edhe gjithë atyre që gjatë luftës i bartte në shpinë, të plagosur apo të rënë për të mos ua lënë serbëve në duar.

Nuk ke të drejtë të përdhosësh një manifestim si ai «Lidhjes së Prizrenit», vetëm sepse qenke trashëgimtarja biologjike e ndonjë figure historike. Mbesa e njërit nga ministrat e parë të qeverisë së Ismail Qemalit, Mehmet Derallës u soll keq. Më mirë mirëpo nuk u soll as kryeministri i Republikës së Kosovës. Ramush Haradinaj shkeli çdo sjellje e protokoll duke u çuar – si ato truprojat që i shohim ne filmat amerikanë -ta heq personalisht nga foltorja përdhunuesen e agjendës. Në fakt skena të atilla si në Prizren ndodhin kur s’ka fare agjenda – ashtu si shumica e punëve alla shqiptarçe.

Incidenti, nga cilado anë ta analizojmë na vetëdijësoi për dy dukuri të realitetit shqiptar.

1. Shqiptarit i duhet edhe një kohë e gjatë që të mësoi të sillet si qytetar i kulturuar, si individ autonom që nuk e bën protagonistin hapësirave publike në emër të ndonjë katragjyshi a vetëm pse mbiemrin e ka rastësisht të njëjtë me Hamzën, Lekë Dukagjinin apo ndonjë tjetër të historisë. Kujt i interesojnë gjenet kur bota aktuale shqiptare si ashtu duket sikur të mos kishte asnjë lidhje në ato që thirret të ketë qenë në histori?

2. Qeveritarët shqiptarë veprojnë me atë mendësinë e patriarkëve mustaqegjatë të mesjetës, të asaj kohe pra kur po ia prishje tymin monarkut çohej dora vetë dhe ta hiqte kokën me shpatën e tij të ndryshkur.

Megjithatë ndërmjet qytetares së pakulturë dhe kryeministrit rend-mbajtës ka një dallim shumë të madh. E para nuk ka përgjegjësi publike. I dyti është përfaqësues i Republikës së Kosovës dhe si i tillë mban para banorëve të vendit dhe gjithë botës.

E në këtë kontekst incidenti si duket ia bëri të qartë shumëkujt se të jesh hero, sakrifikues me gjithçka për lirinë e një vendi nuk do të thotë automatikisht se je i aftë, i denjë për ta pas timonin e një shteti në duar. Edhe më hiç s’je për të udhëhequr shtet kur burra odash tjera ta kallëzojnë drejtimin duke t’i hequr dizgjinët herë majtas, herë djathtas e më shpeshti drejt gropësirave ku mund të mbytesh.

Gabimet e lëshimet si ky me heqjen asaj zonjës nga foltorja janë vetëm tymi paralajmërues që qytetarëve të Kosovës u tregon se zhbërja e 53 milionë eurove në kohën kur spitalet nuk kanë ilaçe dhe se shndërrimi i çdo institucioni që nga shkolla fillore e deri tek bibliotekat dhe zyrat universitare në platforma për iftare në kohën kur Kosova do me çdo kush të integrohet në BE-në sekulare janë vetëm ato dështime që i sheh çdokush, por jo ato që vërtetë ngjajnë në dëm të ekzistencës dhe progresit të Republikës së Kosovës. Gjendje është edhe më keq se sa që mund të shihet aktualisht.

Ramush Haradinaj thonë se është i vetëdijshëm për këto, prandaj edhe sillet kaq pakontrollueshëm. Qenka nën presion të atyre që e sollën në pushtet, duke qenë partia jo ndër të mëdhatë e vendit. Vërtet duhet ta besojnë këtë qytetarët e Kosovës? Të besojnë se një hero i gjallë që e luftoi Serbinë e Millosheviqit; një nga një kullë që humbi aq shumë njerëz për këtë liri e për këtë shtet të harrojë, përmbys, mohojë idealet e atyre që i barti maleve, në shpinë, të plagosur e përgjakur vetëm për një copë pushtet? Vërtet mund të bie kaq nëntokshëm njeriu? Se kjo është e mundshme na dëshmojnë plotë ish-komandantë, që kanë qenë apo që thonë të kenë qenë në luftë. Një numër i madh i tyre është përgjegjëse për katandisjen e vendit në këtë gjendje kaq të keqe ku jo vetëm u shit çdo resurs ekonomik por edhe emrat, mbiemrat, historinë, identitetin e shesin pa u skuqur fare kush të mbërrijë. A i takon kësaj kategorie edhe Ramush Haradinaj? Nuk bëhemi gjykatës e spekulojmë rëndë, por deri më tani çdo simptomë që del e bëhet publike e shpalon edhe tek ai këtë sëmundje; atë të rreshtimit me të këqijtë.

Apo ende ka shpresa e jep dorëheqje, rrëzon këto kasta të dëmshme për Kosovën dhe shpëton në kujtesën shqiptare si hero. Se mund ta bëj shtetin dhe ta shpëtoj Kosovën nuk mundet. Aq i kanë falë perënditë, qofshin ato të iftarit të cilëve ua ka dorëzuar komplet shtetin e qofshin ato që i deklaron si zota që kanë origjinën në Dukagjin.

08/18/2018 19:05

Një medaljon lufte për çdo kosovar!