Lajme

Nga shkollat tek komunitetet gjithëpërfshirëse: projekti YESS fuqizoi të rinjtë në ndërtimin e marrëdhënieve, dialogut dhe paqes

12/05/2025 12:30
nga:Gazeta Blic

Mbi 200 të rinj u mblodhën në ngjarjen “Rrjetizimi i të rinjëve” për të shënuar dhe reflektuar dy vitet e angazhimit në kuadër të projektit “YESS”.

Në një atmosferë të ngrohtë të mbushur me fotografi, instalacione kreative dhe energji pozitive, qindra të rinj nga mbarë Kosova u bashkuan për të festuar aktivitetet e projektit “Të Rinjtë të Fuqizuar nëpërmjet Shkollave dhe Shoqërive Gjithëpërfshirëse (YESS)”.

Ky takim shënoi jo vetëm përfundimin e aktiviteteve por edhe fillimin e një gjenerate të re që beson në bashkëpunim, kreativitet dhe ndryshim pozitiv ku të rinjët patën mundësi të ndajnë historitë e tyre gjatë rrugëtimit të projektit.

Ky projekt, i përkrahur nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Paqes PBF) dhe i zbatuar nga UNICEF dhe IOM, synonte forcimin e unitetit shoqëror, promovimin e përfshirjes dhe dialogut ndërmjet komuniteteve, si dhe rritjen e vetëdijes ndaj konflikteve në Kosovë, duke vendosur të rinjtë në qendër të rrugëtimit drejt paqes.

Atmosfera festive u pasurua me praninë e ambasadorëve, përfaqësuesve ndërkombëtarë, organizatave të shoqërisë civile, mësuesve dhe vetë të rinjve nga 11 komunat e përfshira në projekt.

Ngjarja filloi me një video emocionuese, ku u prezantuan momentet kryesore të aktiviteteve, bashkëpunimit dhe ndërveprimit ndërmjet të rinjve të komuniteteve të ndryshme.

Jonas Westerlund, ambasador i Suedisë në Kosovë, ka thënë se është shumë e rëndësishme që në projektet e zhvillimit të ketë gjithmonë frymë rinore.

“Mendoj se është gjithashtu e rëndësishme që në projektet e zhvillimit gjithmonë të kemi një komponent rinor. Pra, kur diskutojmë – qoftë për shëndetin apo për ndonjë temë tjetër – të kemi gjithmonë burime rinore, panele me të rinj, diskutime me të rinj, sa herë që zbatojmë projekte. Ky është sugjerimi im shumë konkret.” tha ambasadori Westerlund.

Ndërkohë, zëvendësshefja e Zyrës së BE-së, Eva Palatova, ka theksuar rëndësinë e angazhimit të të rinjve në komunitetin e tyre.

“Nga këndvështrimi im, mbi të gjitha është e rëndësishme të jesh i interesuar, të tregosh interes për të pasur të ardhmen tënde të re, të marrësh pjesë, të jesh pjesë e komunitetit tënd, të jesh aktiv aty ku je dhe të interesohesh për atë që ndodh rreth teje. Duhet të përpiqesh të angazhosh miqtë, kolegët dhe anëtarët e komunitetit që të zhvilloni së bashku pikëpamjet tuaja dhe të merrni pjesë aktivisht, në mënyrë që të mos silleni thjesht duke pranuar atë që dikush tjetër thotë dhe përpiqet t’ju ndikojë.” potencoi Palatova.

Ndërsa shefja e Misionit të Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, Anna Rostocka, ka thënë se udhëheqja fillon me besimin në veten, mendimin kritik dhe mosqëndrimin indiferent ndaj zhvillimeve shoqërore.

“Mendoj se gjëja më e rëndësishme është të besosh në atë që po bën, të mendosh vetë, të analizosh me mendje kritike. Nëse sheh çfarë po ndodh, të mos qëndrosh indiferent dhe të mos thuash “unë s’mund të ndryshoj asgjë”, sepse nëse të gjithë mendojnë kështu, atëherë me të vërtetë asgjë nuk ndryshon. Kështu që mendoj se të jesh lider do të thotë të jesh pjesë e atyre që e formësojnë botën, të gjesh vendin tënd, të shohësh çfarë mund të bësh dhe si mund të kontribuosh.” përfundoi Rostocka.

Përmes kampeve të gjuhëve, klubeve gjuhësore, aktiviteteve ndër-etnike dhe partneriteteve kulturore, projekti synoi rritjen e shkathtësive të të rinjve, afrim të komuniteteve dhe krijimin e urave të reja të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit.

Në kuadër të qasjes së tij gjithëpërfshirëse, projekti u fokusua në 11 komuna, 54 shkolla dhe komunitetet ndëretnike si pika kyçe për zhvillimin e aktiviteteve joformale dhe programeve edukative.

Projekti YESS synonte të angazhonte rreth 13,000 të rinj dhe të fuqizonte mbi 400 mësues, duke funksionalizuar 54 këshilla të nxënësve dhe po aq klube ndërmjetësimi.

Me mbi 200 të rinj të pranishëm, “Rrjetizimi i të rinjëve” dëshmoi energjinë dhe përkushtimin që projekti YESS ka frymëzuar për të ardhmen e vendit.

Ngjarja përmblodhi arritjet kryesore dhe krijoi mundësi për rrjetëzim ndërmjet të rinjve nga komunitete të ndryshme, duke dëshmuar se investimi në pjesëmarrjen dhe fuqizimin e tyre mbetet një hap thelbësor drejt një shoqërie më bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse.