Lajme

“Nga e thëna në të bërë, një det i tërë” – Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare: Nënshkrimi s’është asgjë, marrëveshjet nuk do të zbatohen

1 vitë më parë
nga:G C

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi thotë se nënshkrimi i marrëveshjeve nuk do të thotë që ato do të zbatohen në praktikë.

Arifi në një prononcim për GazetaBlic mori si shembull marrëveshjen për personat e pagjetur, që tash e disa muaj nuk po zbatohet edhe pse është e nënshkruar.

“Sa i përket nënshkrimi të marrëveshjes të Brukselit dhe të Ohrit, normalisht që do të ishte mirë të nënshkruhej, por nuk do të thotë apriori që do të zbatohet çdo gjë është nënshkruar, sepse Serbia ka nënshkruar shumë marrëveshje me Kosovën dhe pothuajse asnjërën prej tyre nuk e zbaton, e kemi përshembull marrëveshjen për të pagjeturit”, tha Arifi.

“Nuk do të thotë që nënshkrimi do të ketë edhe zbatim, ku Serbia njihet si një shtet joserioz në marrëdhëniet ndërkombëtare, por siç thotë një fjalë popullore: “Nga e thëna në të bërë, është një det i tërë”, shtoi ai.

Sipas Arifit, tash topi është në anën e Bashkimit Evropian për hapat tutje që do të merren nëse njëra nga palët nuk i zbaton.

“Kjo vlen edhe për Kosovën, pra a do t’i zbatojë Kosova këto marrëveshje sipas asaj që është kërkuar nga presidenti francez, kancelari Scholz dhe kryeministrja Meloni”, tha Arifi.

“Topi mbetët në anën e BE-së të vendosë se do të vazhdohet me zbatimin e marrëveshjes dhe a do të hiqen Kosovës sanksionet nëse fillon të zbatojë marrëveshjet, poashtu të tregojë se çfarë do të ndodhë tutje. Mbetët të shihet zbatimi i saj në teren që është shumë më e vështirë se sa kur flasim në aspektin teorik”, shtoi ai.

Kërkesa e Kurtit që këto marrëveshje të nënshkruhen, sipas Arifit është në rregull teksa kritikon qasjen e tij që ka këto tri vite në pushtet.

“Qasja e kryeministrit që të kërkohet të nënshkruhet është në rregull, edhe pse pranimi i Asociacionit vetëm me një njohje de-facto është pak, por për atë që ka bërë Kurti deri tash, po gëzohemi me pak”, tha Arifi për GazetaBlic.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Fidan Ukaj tha për GazetaBlic se përderisa Aleksandër Vuçiq është në krye të shtetit serb, asnjë marrëveshje nuk do të zbatohet.

“Me Serbinë, edhe sikur të kishim nënshkruar të gjitha marrëveshjet, mendoj se me Vuçiqin në krye të Serbisë nuk do të zbatohej asnjë marrëveshje ose do të zbatohej në mënyrë selektive, pasi kërkohet që marrëveshja të zbatohet vetëm për Asociacionin, nëse ka nuk kishte garanci nga BE dhe SHBA, nuk do të kishim zbatim”, tha Ukaj.

“E rëndësishme nga takimi i fundit për mua ishte pranimi i zbatimit planit evropian nga ana e Kosovës, dhe sipas kryetarit të Kuvendit Konjufca, asociacioni i propozuar nga pesë diplomatët evropianë është në harmoni me frymën e Gjykatës Kushtetuese”, tha Ukaj.

Sipas Ukajt, “shpresat” janë tek ndërkombëtarët dhe veprimet e tyre ndaj Serbisë.

“Tani mbetet të shihet se çka do të veprojnë ndërkombëtarët, në lidhje me mos pranimin e mos-zbatimin e marrëveshjes nga ana e Serbisë”, tha Ukaj për GazetaBlic.