Opinion

Nevoja për rivlerësimin e vlerave

09/15/2019 17:31
nga:Sead Zimeri

Sead Zimeri

Deri diku i kam studiuar dhe, mund të them që, i njoh mirë kulturat e Lindjes dhe Perendimit. Kur po them kulturat e tyre kam ndërmend vetëm aspektin intelektual, atë ideor dhe filozofik të tyre, e jo detyrimisht atë folklorik, etnologjik dhe antropologjik pasi që veçantësia e tillë është tepër e veçantë që të njihet nga studimi i formave të përgjithshme letrare, ideore dhe filozofike. Nëse nuk bën ndonjë studim antropologjik njohja e veçantësive të tyre nuk është e rëndësishme për njohjen ideore të atyre kulturave, ndonëse duhet ta njohim në përgjithësi aspektin antropologjik të tyre.

E di që kulturat e mëdha janë të tilla ngaqë ato lanë gjurmë të pashlyeshme në ide dhe filozofi, prandaj edhe ka elemente universale në filozofitë e tyre përderisa ato mbështeten në argument dhe arsye. Unë kam mësuar dhe kam përvetësuar nga ato kultura njohuri, metodologji, mençuri dhe forma praktike të realizimit të tyre.

Por më duhet ta them që, pavarësisht kontributit të tyre, qytetërimi perendimor mbetet për mua qytetërimi më dinamik që ekziston sot dhe në këtë pikë unë mbeten pothuajse tërësisht nën ndikimin ideor të tij. Në fakt, përderisa problemi i të tjerëve është si ta harmonizojnë qytetërimin perendimor me kulturat e tyre, për mua problemi është i kundërt: si t’i inkorporojmë gjurmët e tyre në qytetërimin perendimor. Mund të duket sikur projekt imperialist, e në mos imperialist gjithsesi evrocentrik, por unë nuk arrij ta kuptoj që kulturat tjera aktualisht kanë mundësitë ideore të paraqesin ndonjë alternativë të besueshme ndaj qytetërimit perendimor. Gjithsesi ato nuk janë kopje të qytetërimit perendimor, por edhe nuk ekzistojnë të pavarura nga ai. Nëpër universitet e tyre mësohet dhe huazohet çdo gjë nga Perendimi, kështu që në nivel ideor kontributet e tyre janë kontribute të Perendimit sepse nuk burojnë nga ndonjë dinamikë imanente e traditave të tyre e as nga ndonjë kanon i njohurive që i përket atyre por buron nga i njëjti rezervoar perendimor.

Aq dinamik është qytetërimi perendimor saqë më nuk ka vend aty për spiritualitet që kërkon tërheqje, së paku taktike, nga dinamizmi i tij. Por në një kulturë ku konkurrencat për të u bërë më i madh, më i shpejtë, më i pasur, më i botuar, pra në një kulturë ku vlerat maten vetëm me mbiemra superlativ aty nuk gjendet kohë për tërheqje nga dinamizmi qytetërimor. Shpesh ky dinamizëm keqkuptohet duke e reduktuar atë vetëm në aspektin material, dmth, që qytetërimi perendimor është tërësisht materialist kurse qytetërimet tjera janë spirituale, me vlera shpirtërore.

Por ky është një karikaturizëm i keq sepse qytetërimi perendimor nuk është më materialist se qytetërimet tjera e as domosdoshmërisht më i dhunshëm se të tjerët. Veç pak njohje e historisë komparative të mundëson ta kuptosh që këto janë paragjykime. Materializmi i qytetërimit perendimor nuk është synim apo qëllimi i tij, por pasojë e zhvillimit, e dinamizmit kulturor që e ka formuar këtë qytetërim. Është shpejtësia në arritjen e qëllimit që i jep pamjen materialiste, por nuk ka asgjë materialiste në përpjekjet për përsosmëri në fushat të veçanta të realizimit të vetes.

Ajo që e shquan Perendimin nuk është materializmi, por në një qëndrim (dasein) që konsolidohet në përpjekjen për të arritur përsosmëri. Përderisa ne thirremi në këto vlera, ne bëhemi pjesë e kësaj mendësie, e kësaj forme të ekzistencës që na shtyn të mos rehatohemi derisa të arrijmë sukses. Spiritualiteti nga kjo perspektivë nuk është asgjë më tepër se refuzimi për t’u bërë pjesë e këtij modus vivendi. Vlerat shpirtërore mund të kultivohen plotësisht në një ambient ku kjo formë e ekzistencës nuk ekziston, ku vlerat qendrore nuk kuptohen në terme të përsosmërisë, arritjes së suksesit dhe epërsisë mbi të tjerët në fushën ku vepron. Aty ku këto vlera nuk ekzistojnë, aty zhvillohet një dimension tjetër i ekzistencës, një dimension që nuk përkufizohet domosdoshmërisht nga vlerat e susksesit por nga ato ndoshta të solidaritetit, ndihmës dhe formave tjera të bashkëpunimit dhe socializimit.

Individualizmi këtu nuk është shenja dalluese e tyre sikur që është në Perendim. Kur njeriu nuk është i detyruar të dëshmohet në fushën e tij të veprimtarisë, të jetë nën trysnitë e pandalshme të konkurrencës, të veprojë sipas parimit vrapo sa më shpejtë ose zhduku, një trysni e madhe dhe disa herë e padurueshme psikologjike (kjo shpjegon format e shumta të dëshpërimeve në Perendim dhe përhapjen e barnave anti-depresive) atëherë ai e konverton mungesën e konkurrencës në vlera solidarizuese. Ai ka kohë edhe për të shkuar në kishë e xhami edhe për të u kujdesur për prindërit e tij në moshë, edhe për t’i vizituar të tjerët. Ai është i çliruar nga trysnitë që vijnë si rrjedhojë e përfshirjes në konkurrencë me të tjerët.

Ne i dimë pasojat pozitive dhe negative të tyre, por sidoqoftë duhet t’i largohemi paragjykimeve pa sens që kulturat lindore janë spirituale kurse ato perendimore materialiste. As njëri dhe as tjetri përshkrim nuk është i vërtetë, pasi që kështu shkaqet konsiderohen si pasoja dhe pasojat si shkaqe. Nga secili këndvështrim mund të bëhen gjykime negative për tjetrin: për perendimorët mungesa e individualizmit shkakton stagnimin e tyre në çdo fushë të kulturës, dhe vlerat shpirtërore perceptohen si mburojë apo justifikim i mbetjes mbrapa. Vlerat shpirtërore janë për ata që dështojnë në garë për sukses, për të arritur majat e suksesit. Lindja është ajo që dështon të bëhet si Perendimi. Nga ana tjetër kultura perendimore denoncohet për individualizmin e tepruar të saj, për braktisjen e vlerave shpirtërore ku solodariteti është vlerë qenësore. Por njëkohësisht solidariteti shoqërohet edhe me format provinciale të mbikqyrjes, të mungesës së autonomosë individuale dhe lirisë personale.

Nuk ekziston standard sipas të cilit mund të themi që vlerat e njërit apo tjetrit janë më të përshtashme për mirëqenien e njeriut, sidomos pasi që aspektet negative ekzistojnë në të dyja anët. Duhet pranuar që pa vlerat protestante të Perendimit, pa individualizmin dhe konkurrencën qytetërimi perendimor nuk do të ishte në këtë stad të zhvillimit që është sot, dhe të hegjemonisë kulturore, teknologjike dhe shkencore. Nuk arrihet aty ku është Perendimi sot pa vlerat e tij. Për ta sfiduar Perendimin duhet të bëhesh perendimor, por po u bërë perendimor më nuk je lindor. Po refuzove të bëhesh perendimor nuk ke gjasa ta sfidosh hegjemoninë perendimore, me përjashtim nëse qytetërimi perendimor vetë-shkatërrohet nga vrulli, dinamjzmi dhe idealizmi i vet. Por nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë ai nuk do të rrënohet vet por do t’i marrë me vete edhe shumicën e kulturave tjera që sot janë parazitike në të.

Prandaj ndoshta problemi që lindorët shtrojnë është problem fals, sepse nëse qytetërimi perendimor është një lloj uragani që merr çdo gjë para vete, nuk ka kuptim ta shtrosh problemin si problem të zgedhjes eklektike: po marrim kët e po braktisim atë. Nëse të pëlqejnë të arriturat e Perendimit dhe dëshiron të bëhesh po aq i suksesshëm nuk ke zgjidhje tjetër pos t’i përvetësosh vlerat e tij. Prandaj alternativa tjetër që unë e shtrova më lartë është më e arsyeshme. Kritikët postmodern, por jo vetëm ata, të qytetërimit perendimor, të formës në të cilën skalitet vullneti njerëzor, në bazë të pasojave negative dhe të simptomave të dëmshme për mirëqenien e njeriut duhet të krijojnë, në bashkëpunim me kulturat tjera ku vlerat tradicionale ende ekzistojnë, një vetëdije tjetër për qëllimin e ekzistencës. Duhet të rivlerësohen vlerat, por kjo nuk mund të bëhet në izolim nga kulturat tjera, sepse ndryshimet e shpejta vendosin në rrezik jo vetëm mirëqenien e kulturave tjera por edhe vetë ekzistencën e tyre. Por kuptohet ky rivlerësim i vlerave nuk mund të bëhet vetëm në Perendim por duhet të bëhet gjithandej, sidomos tani që ndotja e ambientit paraqet kërcënim për vetë ekzistencën e njeriut si njeri, si qenie biologjike dhe jo vetëm kulturore. Ne duhet pra të angazhohemi, kolektivisht dhe në nivel global, në bazë të disa standardeve universale që të gjejmë një gjuhë të përbashkët për problemet e përbashkëta.

Dikur Niçe kërkoi t’i rivlerësonim vlerat e Krishterimit dhe të fesë në përgjithësi, por tani kemi nevojë për një rivlerësim të ri ngaqë sfidat dhe kërcënimet më nuk vijnë vetëm nga nihilizmi, por nga vetë asgjësimi i jetës. Deri më tani të gjithë e kemi futur kokën në rërë, dhe jemi duke pretenduar që problemi ose nuk është real ose nuk është i yni, ose që nuk kërkon ndonjë mdryshim radikal në vlerat tona dhe mund të vazhdojmë si më parë, duke bërë disa koncesione dhe ndryshime të vogla. Por problemi është shumë më i thellë se kaq dhe zgjidhja doemos duhet të përfshijë rivlerësimin e vlerave tona. Kuptohet një rivlerësim global e jo vetëm lokas sepse problemi është global, i kërcënon të gjithë prandaj nuk mund të pretendohet që vlerat i kemi të shëndosha por që problemi qëndron tek tjetri. Vlerat e qytetërimit perendimor gjithsesi na kanë sjellur buzë greminës ekologjike, por ato nuk mund të ndryshohen pa kontributin dhe kritikën e kulturave tjera, prandaj kulturat tjera nuk duhet ta shtrojnë problemin si problem të huazimit selektiv të vlerave perendimore por si problem të rivlerësimit të vlerave perendimore dhe vlerave të tyre.

Rivlerësimi duhet të bëhet në mënyrë reciproke, sepse nuk ekziston mundësia që Perendimi t’i kthehet vlerave tradicionale të kulturave lokale të Lindjes. Kjo kërkon njohje të thellë të qytetërimeve që ekzistojnë sot në mënyrë që perpsektivat për ndryshim të jenë realistike për të gjithë. Kërkohet një hapje e pamenduar deri sot ndaj tjetrit, dhe evitimi i paragjykimeve dhe supremacive kulturore dhe qytetërimore. Për shembull individualizmi mund të riinterpretohet jashtë kontekstit të konkurrencës për sukses pavarësisht çmimit që paguhet për atë sukses. Qëllimet përfundimtare, të mirat e përgjithshme, duhet të bëhen pjesë e çdo dialogu për ardhmërinë tonë, dhe duhet gjetur mënyrat më efikase për t’i realizuar ato në kontekste të ndryshme kulturore. Nuk mund të ketë më rëndësi dhe prioritet absolut suksesi i ndarë nga qëllimet e njeriut si njeri, suksesi për hir të suksesit. Rivlerësimi i vlerave doemos do të lidhet me qëllimin e ekzistencës së njeriut, që nuk është i dhënë për të gjithë njësoj por që megjithatë mund të arrihet një lloj unanimiteti që së paku eviton aspektet negative si ato që kërkojnë shtypjen e tjetrit në emër të vlerave partikulare.