Fit&Sexy

Shenjat e para të epilepsisë dhe moshat më të prekura, neorologu bën thirrje për kontrolla të rregullta

06/30/2024 11:51
nga:N K

Epilepsia është një nga sëmundjet apo ç’rregullimet më të shpeshta në neurologji, e cila për shkak të karakteristikave të saj është një problem serioz mjekësor dhe social.

Në një prononcim për Gazeta Blic, neorologu Milaim Krasniqi, ka treguar shenjat e para të sëmundjes së epilepsisë dhe moshat më të prekura.

“Gjatё një ataku epileptik mund tё lajmёrohet këto shenja apo simptoma: fiksimi i shikimit, ç’rregullime tё folurit, ngёrçe tё shkurtra tё njё pjese tё trupit, si dora ose kёmba pengesa nё shqisat e nuhatjes, dёgjimit , mpirje tё shkurtra tё ndonjë pjese tё trupit. Tek tё ashtuquajturat, sulme të gjeneralizuara epileptike, mund tё vijë deri tek humbja e tërësishme e vetёdijes, ngёrçe nëpër trup, kafshim i gjuhёs, ndёrsa janё tё shpeshta edhe lёndimet gjatё rrёzimit”, u shpreh Krasniqi.

Cilat janë moshat e prekura nga kjo sëmundje?

“Epilepsia mund tё fillojё nё çdo moshё, por mё e zakonshme ёshtё nё fёmijёri dhe nё moshat e shtyra (mbi 65 vjeç)”, tregoi neurologu.

Neurologu Krasniqi thekson rëndësin e përdorimit të medikameteve mjekësore të kësaj sëmundjeje dhe kontrollat e rregullta mjekësorë për personat që janë të sëmurë me këtë sëmundje.

“Në trajtimin e epilepsisë janë të nevojshme kontrolle të rregullta, ilaçet duhet të merren rregullisht dhe me kohë siç janë përshkruar nga ana e mjekut specialist dhe assesi nuk duhet të ndërpriten në mënyrë të menjëhershme (kjo mund të sjell deri tek paraqitja e sërishme ose shpeshtim të ataqeve). Ndërsa tek rastet rezistente në terapi (rreth 20%), përkundër kombinimit të disa antiepileptikëve, ataqet epileptike janë të shpeshta, mund të mendohet për trajtim neurokirurgjik, largimin e plotë të vatrës epileptike, që kryhet vetëm në qendra të specializuara”, tha tutje neurologu.

Ai tutje tregon trajtimin e kësaj sëmundje në vendin tonë.

“Afër 70 % të personave me epilepsi nuk do të kenë sulme nëse marrin ilaçin e vërtetë anti epileptik. Ku në këto raste ka trajtim të duhur në Kosovë”, potencoi ai.

Si krijohet kjo sëmundje dhe mund të jetë trashëguese?

“Në bazë të shkaktarit epilepsitë janë tre grupe:

– Epilepsitë idiopatike (epilepsitë që kanë të bëjnë me predispozitёn gjenetike).

– Epilepsitë simptomatike (epilepsitë të cilat janё tё nxitura nga faktorёt e jashtёm, tё fituara gjatё jetёs, si pasoj e sёmundjeve akute infektive, vaskulare, sekuelat e tyre, malformacionet kortikale, tumoreve, lëndimeve traumatike – kontuzioneve trunore, faktorët metabolik etj.)

– Epilepsitë kriptogjene (tё fshehta) ekziston shkaku, por ky ёshtё i fshehur pёr njohuritë e deritashme tё kërkimeve diagnostike, neuroradiologjike dhe metabolike”, përfundoi neurologu Milaim Krasniqi.

/GazetaBlic/