Sporti

Neuer thyen rekordin 40-vjeçar

06/12/2019 10:57
nga:Lorik J

Manuel Neuer ka thyer rekordin e mbajtjes pastër (të paprekur) të portës së Gjermanisë në fitoren 8-0 ndaj Estonisë, të martën. 33-vjeçari shmangu golin në rrjetën e tij për herë të 37-të në ndeshjen e 88-të personale ndërkombëtare, duke kapërcyer fituesin e Kupës së Botës, legjendën Sepp Maier, i cili e vendosi rekordin në këtë drejtim në vitin 1979.

Në kualifikuesen e luajtur në Mainz, Neuer pati fare pak punë, sepse kundërshtari nuk e rrezikoi, por u detyrua të ngjeshej mbrapa e ta nxirrte tetë herë topin nga rrjeta e portës së vet. Estonia goditi vetëm katër herë drejt “kuadratit” vendës, gjatë gjithë lojës, duke e detyruar portierin gjerman të bënte vetëm dy pritje.

Duke llogaritur edhe fitoren 2-0 të së shtunës ndaj Bjellorusisë, Neuer është i lumtur me progresin që ekipi ka bërë, që nga eliminimi i turpshëm në fazën e grupeve të Botërorit të vitit të kaluar: “Jam shumë i kënaqur. Ne mund të jemi krenarë për atë që kemi treguar në dy kualifikueset e fundit. Goli i hershëm ishte i rëndësishëm dhe më pas e kuptuam që kundërshtari nuk ishte aq i fortë.

Duam të vazhdojmë të punojmë dhe të përmirësohemi shumë, për ta pasur ekipin në më të mirën e vet, verën e vitit 2020. Natyrisht, gjithnjë flitet për futbollin në Gjermani. Ne jemi një vend futbollistik dhe gjithkush ka mendimin e tij, por kritikat nuk duhet të na shqetësojnë në punën tonë. Kritikat e shëndetshme janë gjithmonë të rëndësishme”.telesport