Lajme

Nesër mbledhja e dy qeverive Kosovë-Shqipëri, këto janë marrëveshjet që pritet të nënshkruhen

06/19/2022 10:08
nga:Q R

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do të takohen të hënën në Prishtinë.

Në mbledhjen e përbashkët të dy Qeverive pritet që të nënshkruhen disa marrëveshje.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për FrontOnline, tha se gjatë kësaj mbledhje do të nënshkruhen disa marrëveshje në fushat e ndryshme.

“Marrëveshje që pritet të nënshkruhet do të përfshijnë fushat si ajo e arsimit, drejtësisë, bujqësisë, infrastrukturës, turizmit, e sigurisë por jo vetëm”, tha Kryeziu.

Ndërsa i pyetur se sa po gjejnë zbatim këto marrëveshje, Kryeziu tha se nga zbatimi i marrëveshjeve që janë nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar kanë arritur rezultate të mira.

“Sa i përket marrëveshjeve të nënshkruara më 26 nëntor 2021, në Elbasan, të njëjtat kanë gjetur zbatim pa problematika, dhe janë arritur rezultatet si në vijim” tha ai.

Lehtësimi i procedurës për lejeqëndrim 5 vjeçar për shtetasit e të dy vendeve;

Hapja e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash);

Lehtësimi i procedurës për njohjen dhe njësimin reciprok të diplomave;

Ndihma e ndërsjelltë juridike në çështjet civile dhe tregtare;

Mbrojtja dhe kujdesi për fëmijët pa përkujdesje prindërore në të dyja vendet

Krijimi i kalendarit të përbashkët Kulturor Vjetor 2021-2022 Shqipëri-Kosovë;

Rritja e nivelit të bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore dhe muzeve;

Rritja e nivelit të bashkëpunimit në fushën e bujqësisë ndërmjet dy vendeve;

Përveç këtyre, zëdhënësi i Qeverisë tha se janë edhe katër marrëveshje tjera për të cilat po punohet që të fillojnë zbatimin.

“Gjithashtu janë në proces të zbatimit edhe marrëveshjet e tjera, për të cilat po punohet për aspektet teknike, sikurse janë:”, tha ai,

Rregullimi i regjimit të trafikut lokal të kufirit;

Lehtësimi i procedurave të kalimit të kufirit në pikën Vërmicë-Morinë;

Studimi i fizibilitetit për segmentin hekurudhor Durrës-Prishtinë;

Njohja e ndërsjelltë e sigurimeve shoqërore ndërmjet dy vendeve.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, foli edhe për marrëveshjet e mëparshme të cilat janë arritur ndërmjet dy Qeverive.

Ai tha se gjithsej janë 127 marrëveshje, por që rezultati i tyre është i paprekshëm për qytetarët e të dyja shteteve.

“Ndërsa marrëveshjet e mëparshme janë 127 (pa përfshirë marrëveshjet e nëntorit). Marrëveshjet e mëparshme, në tërësi janë të përgjithshme dhe në jo pak raste pa efekt të prekshëm drejtpërdrejt nga qytetarët në Shqipëri dhe Kosovë”, deklaroi ai për Front Online.

Mbledhja e fundit e qeverive Kosovë-Shqipëri u mbajt në fund të nëntorit të shkuar në Elbasan ku u nënshkruan disa marrëveshje.

Mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë ka një histori 7 vjeçare.

Mbledhja e parë u mbajt më 11 janar 2014 në Prizren, ku kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Hashim Thaçi e cilësuan këtë ngjarje si historike për të dy vendet dhe nënshkruan deklaratën për partneritet strategjik.