Lajme

Nesër fillon “Java Kundër Korrupsionit 2025”

12/07/2025 10:54
nga:G B

Koalicioni i Organizatave të Shoqërisë Civile, i përbërë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO), me moton “Bashkë Kundër Korrupsionit”, edhe këtë vit do të organizojnë Javën Kundër Korrupsion, e cila do të zgjasë nga data 8 dhjetor deri më 12 dhjetor 2025.

Gjatë kësaj jave, Koalicioni do të realizojë një sërë aktivitetesh që synojnë sensibilizimin e opinionit publik rreth korrupsionit dhe forcimin e transparencës, integritetit dhe llogaridhënies në institucione. Aktivitetet do të përfshijnë konferenca për medie, tryeza të diskutimit, publikimin e raporteve analitike, podkaste, aktivitete publike si dhe nisma kreative sensibilizuese në rrjete sociale, të cilat do të adresojnë temat më kritike që e prekin fushën e korrupsionit, krimit të organizuar, sundimin e ligjit, qeverisjen e mire dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë në Kosovë.

Gjatë “Javës Kundër Korrupsionit 2025”, do të publikohen një sërë raporte në këto fusha, përfshirë: “Performanca e drejtësisë në ndjekjen dhe gjykimin e korrupsionit” (IKD), “Anulimet – forma më e heshtur e keqpërdorimit në prokurim publik” (INPO), “Llogaridhënia përballë skandaleve qeveritare” (IKD), “Mbrojtja e sinjalizuesve në Kosovë, mes ligjit dhe realitetit” (FOL), “Korrupsioni si shkelje e të drejtave të njeriut” (IKD) , “Deklarimi i pasurisë: Gabimi gjyqësor që hoqi të gjithë përgjegjësinë shkelësve të ligjit” (IKD) dhe “Pavarësia dhe efikasiteti i OSHP-së: ndërmjet zbatimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit” (INPO).

Në kuadër të aktiviteteve sensibilizuese, koalicioni i OJQ-ve do të realizojë promo-video të përditshme, aktivitet të dedikuar kundër krimit të organizuar, si dhe një grevë një-ditore simbolike me moton “Greva kundër korrupsionit”, si shenjë proteste ndaj mungesës strukturore të përgjegjshmërisë institucionale në vend.