Lajme

Nesër bëhen tre muaj kur përfunduan zgjedhjet, VV e LDK pa marrëveshje koalicioni

01/05/2020 12:51
nga:B. D

Më 6 janar mbushen tre muaj prej se janë mbajtur zgjedhjet nacionale në Kosovë. S’ka ende marrëveshje ndërmjet partive për të themeluar Qeverinë e re. Vetëvendosje e LDK s’janë pajtuar ende për ndarjen e pozitave. Gjatë gjithë fushatës, këto dy parti kishin paralajmëruar se posa të përfundonin zgjedhjet do të ndodhte edhe “Koalicioni i Shpresës”. Madje, ishte thënë se e gjithë marrëveshja do të arrihej brenda 72 orëve pas certifikimit të zgjedhjeve.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës s’po arrijnë të bëjnë marrëveshje për ndërtimin e Qeverisë se re anipse zgjedhjet nacionale kanë përfunduar para tre muajsh, është ditur fituese, janë certifikuar zgjedhjet para një muaji, madje është votuar udhëheqja e re e Parlamentit.

Ndërkohë, të hënën, pikërisht në ditën kur bëhen tre muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve, takohet Albin Kurti me Hashim Thaçin për të caktuar pastaj mandatarin për formimin e Qeverisë.

Megjithëse, Kurti ka thënë se do ta propozojë veten për Shef të Qeverisë tek pasi të arrijë marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Por, marrëveshja VV-LDK është bllokuar pasi dy partitë s’po merren vesh se kush po merr më shumë pozita në Qeveri, Kuvend e Presidencë.

Në fakt, LDK e ka bllokuar marrëveshjen pasi s’ka pranuar ofertën e VV’së për gjysmën e Qeverisë dhe Kryetarin e Kuvendit.

Tash, pasi në krye të Kuvendit ka ardhur Nënkryetari i VV’së, Glauk Konjufca, marrëveshja për bashkëqeverisje ka marrë rrugë tjetër.

Isa Mustafa ka thënë se gjithçka do të nisë prej fillimi dhe duhen negociata të reja për ndarjen e përgjegjësive.

Në zgjedhjet e 6 tetorit Lëvizja Vetëvendosje, për herë të parë, doli e para me 29 deputetë e pasuar nga LDK me 28 deputetë.

Këto dy parti asnjëherë s’kanë qeverisur ndërsa VV për herë të parë pritet të bëhet pjesë e Qeverisë.

Pozitën e Kryeministrit të dy partitë ishin zotuar se do t’ia jepnin partisë së parë ndërsa pozitat tjera do të negocioheshin.

Raportet VV-LDK kishin qenë të vështira sidomos kur Isa Mustafa udhëhiqte Qeverinë e Kosovës dhe përballej me protesta dhe kundërshtime të Vetëvendosjes.

Në dy vitet e fundit si opozitë, VV e LDK kishin ndërtuar bashkëpunim por kishin dështuar të arrinin marrëveshje për koalicion parazgjedhor.

Dy partitë kanë thënë se kanë harmonizuar programin qeveritar ndërsa ka mbetur vetëm të ndahen pozitat ku edhe po vazhdon bllokada.

02/02/2020 22:15

VV me shumicë votash miraton koalicionin me LDK-në