Italia filloi me një fitore në Kampionatin Evropian të Gjermanisë, pasi fitoi kundër Shqipërisë.
Trajneri Luciano Spalletti ishte i kënaqur me pjesën më të madhe të paraqitjes së ekipit të tij, por u zemërua nga ajo që disa media italiane kanë shkruar për disiplinën e tij.
Në veçanti, disa media raportuan se Spalletti i ndaloi lojtarët e tij të luanin në “PlayStation” për të qenë më të fokusuar në këtë periudhë të rëndësishme, por kryetrajneri i mohoi kategorikisht këto gjëra dhe i quajti gënjeshtra.
“Nuk mund ta besoj që duhet të flas për këtë, por mesa duket duhet të flas sepse po përhapen gënjeshtra. Nuk e di kush po gënjen se i kam ndaluar futbollistët të luajnë “PlayStation”, vetëm e kam merak, dua të flenë natën. Unë kurrë nuk u thashë atyre se nuk mund të luajnë PlayStation, ata thjesht nuk mund të rrinë zgjuar deri në 3-4 të mëngjesit. Këto janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme dhe është logjike që si trajner të dua që lojtarët e mi të pushojnë dhe të jenë gati për stërvitje”, tha Spalletti.
“Nuk më pengojnë videolojërat, përkundrazi kemi një dhomë të veçantë me dy konzola, edhe unë shkoj të luaj me to”, shtoi ai.
/GazetaBlic Sport