Lajme

Nënkryetari i VV-së: Nëse nuk e bëjmë qeverinë me LDK-në, shkojmë në zgjedhje

11/08/2019 12:34
nga:Gazeta Blic

Megjithëse dje grupet punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës u pajtuan për çështjet programore, dallimet pritet të lindin në ndarjen e pozitave politike qeverisëse.

Deklaratat nga zyrtarë të LDK-së se ndarja e ministrive nuk mund të jetë e barabartë për nënkryetarin e VV-së Besnik Bislimi mund të stopojnë procesin, pasi ata nuk do të japin asgjë më shumë krahas peshës politike që kanë fituar në zgjedhjet e 6 tetorit.

Bislimi në një intervistë për KosovaPress jep detaje për mënyrën e ndarjes së ministrive, për alternativen në rast të dështimit të koalicionit mes VV-së dhe LDK-së, si dhe për vendimet e fundit të kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj.

“Nuk e di se çka ndodhë në atë moment kur negociatat kalojnë nga niveli teknik ku dizajnohet programi qeverisës, në nivelin politik ku folet për ndarje  të përgjegjësive. Në qoftë se aty lindë ndonjë kërkesë shtesë dhe ka apetite të pambuluara atëherë kjo mundet me prolonguar procesin. Por, ajo që është me rëndësi që për VV-në vullneti i qytetarit është i paprekshëm. Nëse qytetari e ka shpall VV fituese dhe e ka shpall Albin Kurtin si kryeministër atëherë ne nuk mundemi me negociuar këto dy elemente. E para, pozita e kryeministrit, nuk është në tavolinën e bisedimeve, nuk është se një subjekt po ia jep një subjekti tjetër kryeministrin, por është i zgjedhur direkt nga qytetarët. Ndërkaq pjesa tjetër e qeverisjes duhet me u nda konform  peshës politike në zgjedhje”, thotë Bislimi.

Në rast të dështimit të arritjes së marrëveshjes, Bislimi thotë se zgjedhjet e reja janë alternativë e vetme. Pasi, sipas tij LDK nuk e ka alternativë opozitën.

“ LDK dhe VV alternativë të vetme e kanë zgjedhjet e reja. E vetmja mënyrë që LDK me shkuar në opozitë është nëse Vetëvendosje pranon me qeverisë me PDK-në, çka nuk ndodhë. Që do të thotë LDK ose ka me qenë pjesë e qeverisjes, ose kena me shku në zgjedhje. VV ose ka me qenë pjesë e qeverisjes ose kemi me shkuar në zgjedhje. E tash kjo alternativë si do të përkthehen në fuqinë e negociatave tregon prapë sovrani. Sondazhi i parë që është bërë pas zgjedhjeve ka tregu se qysh janë forcat”, pohon ai.

Për formatin e Qeverisë me 12 ministri, nënkryetari i VV-së thotë se janë dy versione që i janë dërguar liderëve partiak me dallime të vogla për alokimin e ministrive, derisa jep detaje si cilat ministri do të shuhen dhe  do të riorganizohen.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të jetë ministri në veti, por ministri tjera do të bashkohen me të. Psh Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të bashkohen më të, sipas njërit prej versioneve. Ministra e Punës jo e Mirëqenies Sociale, por vetëm e Punës. Po ashtu edhe një pjesë e Ministrisë së Inovacionit, po ashtu një pjesë e Ministrisë së Diasporës që merret me investime strategjike. Do të thotë kjo Ministri do të bëhet një super ministri…Ministria e Inovacionit kalon tek Ministria e Arsimit dhe roli primar si Ministri nuk është, por si departament e ka për me mbështet hulumtimet shkencore”, thotë ai.

Për deklaratat e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj për mos largim të taksës, Bislimi i cilëson si të pa pesha, teksa thekson se do t’i spostojnë gjitha vendimet e fundit të qeverisë në dorëheqje.

“Çka thotë kryeministri në largim nuk çon peshë në negociatat tona me LDK-në. Kur është vendosur taksa, kryeministri në largim nuk është konsultuar me askënd.  Do të thotë ajo taksë është instrument kryekëput i koalicionit që ka qenë në qeveri në atë moment. Edhe pse kurrë nuk e kemi pas të qartë kujt brenda koalicionit. Kur ka dalë mirë secili i ka nxjerr meritat, kur ka dalë keq secili ka thanë se ne kemi qenë kundër. Politikat e tilla që janë të njëanshme unilaterale dhe të pakoordinuara me faktorin politik në vend nuk mund të sigurojnë jetëgjatësi pas rënies së atij koalicioni. Ramush Haradinaj nuk mund të thotë jeni qeveri e re, populli ka votuar për ndryshim, por ju vazhdoni me politika të vjetra. Ne mendojmë që kemi marrë mandatin se jemi më kreativ dhe kemi ide të reja dhe më të mira për me e zgjidhë këto probleme. Për neve  nuk qon peshë asgjë çka deklaron Haradinaj në këtë fushë”, thotë Bislimi

Javën e ardhshme pritët të takohen kryetari i VV-së Albin Kurti dhe ai i LDK-së Isa Mustafa për të tentuar të formalizojnë marrëveshjen politike për koalicionin e ardhshëm qeverisës.