Lajme

Nëna gjakovare që ia vuri flakën vetes pasi serbët ia vranë djemtë

03/27/2019 17:29
nga:A. R.

Lëvizja Vetëvendosje ka përkujtuar sot Pashke Markaj nga Gjakova, nëna  që i vuri flakën vetës pasi iu kthyen trupat e pajetë të dy djemve të saj në luftë.

Një delegacion nga partia e Albin Kurtit  vizitoi varrin e Pashke Markajt, duke kujtuar historinë e nënës gjakovare, që rivarrosi eshtrat e dy djemve të saj në vitin 2003, më pas dogji vetën.

“Me 24 maj 2003 trupat e Gjovalinit dhe Milanit veçse ishin kthyer dhe tash po rivarroseshin. Ajo fije e fundit e shpresës së nënës Pashke se ata mund të kthehen të gjallë tashmë u dogj. Vetëm tri ditë më pas, nëna Pashke i vuri flakën vetës për t’i dhënë fund jetës e dhimbjes për bijtë e saj. Sakrifica të vetëflijimit si ajo e Oso Kukës tek Lahuta e Malcis, të cilën nëna Pashke e dinte përmendësh, nuk janë të panjohura për popullin tonë”, thuhet në shkrimin e VV’së.

Postimi i plotë:

Sot, një grup i aktivistëve nga Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjakovë, i përbërë nga kryetari, Agon Batusha, deputetja Arbërie Nagavci, asambleiste, anëtarë të kryesisë, dhe aktivistë të tjerë, bënë nderime tek varri i Pashke Markajt në Korenicë. Emri i nënës Pashke dhe historia e saj nuk janë të panjohura për qytetin tonë, por ato duhen njohur e kujtuar nga mbarë vendi. Me 27 prill 1999, në masakrën makabër të kryer nga okupatori serb në fshatrat Meje e Korenicë, ndër 374 martirët e rënë, ishin edhe dy djemtë e nënës Pashke, Gjovalini dhe Milani. Siç ka ndodhur edhe me shumë të tjerë, ndonëse ishin vrarë, Gjovalini e Milani u cilësuan si të zhdukur deri në vitin 2003, kur trupat e tyre u kthyen dhe u rivarrosën. Pritja katër vjeçare u shndërrua në agoni shekullore për nënën Pashke. Ndonëse fija e fundit e shpresës për kthimin e tyre të gjallë nuk ishte djegur ende, ajo kishte pohuar se nuk do të jetonte më nëse djemtë nuk i kthehen të gjallë. Me 24 maj 2003 trupat e Gjovalinit dhe Milanit veçse ishin kthyer dhe tash po rivarroseshin. Ajo fije e fundit e shpresës së nënës Pashke se ata mund të kthehen të gjallë tashmë u dogj. Vetëm tri ditë më pas, nëna Pashke i vuri flakën vetës për t’i dhënë fund jetës e dhimbjes për bijtë e saj. Sakrifica të vetëflijimit si ajo e Oso Kukës tek Lahuta e Malcis, të cilën nëna Pashke e dinte përmendësh, nuk janë të panjohura për popullin tonë. Por, dhimbja e revolta e një nëne të cilës ia rrëmbyen, vranë, e morrën peng trupat e të bijve, e ndezur në flakë, është sakrificë sublime e llojit të vetë. Nëna Pashke na bënë ta kujtojmë qëndresën e sakrificën e të gjitha grave – nënave, bashkëshorteve, motrave, e bijave, përgjatë gjithë historisë sonë. Ajo nuk na lë të harrojmë për asnjë moment se drejtësia për secilin rast është minimumi që duhet kërkuar për dinjitetin e tyre – sepse koha e vuajtjet e tyre janë të pakthyeshme e paharrueshme. Këto histori dhe domosdoshmërinë e drejtësisë nuk mund t’i harrojmë për asnjë moment. Ato janë të freskëta dhe duhet kujtuar sidomos në këtë kohë kur diskutohet me shumë lehtësi për kompromiset me Serbinë dhe ndarjen e Kosovës.

12/04/2019 17:10

Një delegacion i BE-së takohen me Kurtin, interesohen për rrjedhën e bisedimeve me LDK-në