Opinion

Nën-ndërtimet – kërcënim sizmik për qytetin e Prishtinës

11/30/2019 10:55
nga:Mentor Llunji

Para tre vjetëve kam qenë i kontaktuar nga një grup i brengosur i banorëve të lagjes “Ulpiana” të jap mendimin tim lidhur me ndikimin e hapjes së lokaleve afariste (në përdhese) në stabilitetin e përgjithshëm të objekteve banesore.

Siç edhe dihet, ndërtesat e banimit në këtë lagje në masë të madhe janë të goditura nga fenomeni të cilin simbolikisht e kam emëruar “nën- ndërtim”apo ndërtim në përdhesen e objekteve pa kurrfarë kontrolli teknik dhe dokumentacion përkatës.

Këto intervenime të pakontrolluara në mënyrë direkte dhe indirekte po kërcënojnë stabilitetin e këtyre objekteve, gjegjësisht pronën dhe jetën e banorëve. Kjo nuk është një mendim i lirë, por konstatim që kërkon reagim sa më urgjent.

Thënë shkurt, po të goditej Prishtina me tërmet të intensitetit të Durrësit, të gjitha objektet në fjalë në rastin më të mirë do të bëheshin të pabanueshme, dhe në rastin real do të shembeshin. Rrjedhimisht në atë kohë kam ndier obligim moral t`iu drejtohem me një informatë mbi gjendjen e objekteve në këtë lagje organeve komunale të Prishtinës, konkretisht kryetarit të Komunës dhe sekretarit të Urbanizmit. Informatë kthyese nuk kam marrë dhe reagimi për këtë problem, siç edhe dihet, ka munguar në tërësi.

Në këto momente tragjike për qytetin e Durrësit, është e udhës t’i drejtohem opinionit publik, duke shpresuar që të hedhë dritë mbi seriozitetin e kërcënimit dhe t’i obligoj organet kompetente marrjen e hapave të duhur në këtë drejtim.

“Nën-ndërtimet” në mënyrë të ‘pavërejtur’ nga opinioni profesional kanë goditur në tërësi bërthamën e qytetit të Prishtinës në 15 vjetët e fundit. Numri i lokaleve, i zyrave dhe i kafeneve të hapura në përdhesen e objekteve të banimit janë të panumërta. Bëhet fjalë për lagjet “Ulpiana”, “Dardania”, objektet e banimit përreth bulevardit “Nëna Terezë” dhe pjesët e tjera të cilat i përkasin qendrës së qytetit.

Çka janë nën-ndërtimet

Çdo intervenim në përdhesen e objekteve për qëllime të hapjes së objekteve afariste të të gjitha llojeve (dyqane, zyre, kafene dhe restorante) paraqet nën- ndërtim.

Intervenimet zakonisht përfshijnë largimin e mureve ndarëse (apo mbajtëse) të banesave (apo garazheve) në mënyrë që të krijohen hapësira më të mëdha të nevojshme.

Mënyra e largimit të mureve mba jtëse/ndarëse zakonisht është bërë pa ndonjë analizë se në çfarë mase ky largim ndikon në stabilitetin e përgjithshëm të objektit, si dhe pa prezencën e personave të kualifikuar.

Pjesa dërrmuese nuk posedon bile edhe një letër që do të vërtetojë që intervenimet për hapjen e lokaleve nuk kërcënojnë stabilitetin e objekteve. Arsyetimi se në shumicën e rasteve janë larguar vetëm muret ndarëse apo jokonstruktive aspak nuk qëndron.

Largimi i mureve jokonstruktive mund ta ketë po të njëjtin efekt negativ në qëndrueshmërinë e objekteve.

Nën-ndërtimet më të rrezikshme se mbindërtimet

Mbindërtimi nënkupton shtimin e peshës (katit shtesë) objektit ekzistues. Pothuajse çdo objekt i projektuar si duhet mund ta përballojë edhe një kat shtesë.

Ndërkaq, nën-ndërtimi nënkupton dobësimin e strukturës në pikën më të dobët të saj – përdhesen, aty ky përcillen të gjitha ngarkesat nga katet e sipërme.

Përveçqë dobësohet objekti në përcjelljen e ngarkesave vertikale (peshës nga katet e sipërme), dobësimi edhe më i rrezikshëm është ndaj ngarkesave anësore (p.sh. tërmetit), duke krijuar kështu ‘kate të dobëta’ për përcjelljen e këtyre ngarkesave.

Risku sizmik në këtë mënyrë rritet shumëfish, duke rritur shumëfish rrezikun për jetën edhe pronën e banuesve. Sidomos janë të rrezikshme rastet e kombinimit të mbindërtimit dhe nën-ndërtimit në të njëjtin objekt.

Çfarë duhet të ndërmerret

Të aplikohet i njëjti model që është aplikuar në të gjitha qendrat të cilat janë ballafaquar me këtë problematikë.

Pra, të evidentohen intervenimet në objektet ekzistuese dhe të bëhet kategorizimi i rrezikshmërisë së këtyre intervenimeve.

Konform kategorizimit do të ndërmerren hapat dhe vendimet lidhur me përforcimet e mundshme të objekteve apo edhe ndalimit e përdorimit të tyre të mëtutjeshëm derisa të mos sigurohet stabiliteti i nevojshëm.

(Autori është inxhinier i diplomuar i ndërtimtarisë dhe autor i disa librave nga lëmi i inxhinierisë sizmike).