Lajme

Nehat Thaçi u zgjodh kundërligjshëm Drejtor i Shërbimit Korrektues, anulohet konkursi përmes të cilit ishte përzgjedhur në këtë pozitë! (Dokument)

10/11/2018 13:12
nga:Diamant Bajra

Drejtori i Shërbimit Korrektues Nehat Thaçi, është përzgjedhur në mënyrë të kundërligjshme në këtë pozitë përmes konkursit të Ministrisë së Administratës Publike, të shpallur më 27 dhjetor të vitit të kaluar.

Kështu ka konstatuar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës pas ankesës së parashtruar nga Ali Gashi, kandidat në këtë konkurs për Drejtor të Shërbimit Korrektues. KPMSHCK-ja ka vendosur që të shfuqizohet vendimi i Komisionit të Ankesave për Pozitat e Larta Drejtuese të Ministrisë së Adminisratës Publike dhe të anulohet konkursi në fjalë.

Aprovohet si e bazuar ankesa me numër protokolli 4633/2017 e datës 13.08.2018 e parashtruar nga ankuesi Ali Gashi

Shfuqizohet vendimi nr. 2308 I datës 17.07.2018 i Komisionit të Ankesave për Pozitat e Larta Drejtuese të Ministrisë së Adminisratës Publike

Anulohet konkursi I datës 27.12.2017 i shpallur nga Ministria e Administratës Publike dhe rekomandimi I Komisionit për Vlerësimin e Kritereve për përzgjedhjen e kandidatit për pozitën e Drejtor i Përgjithshëm në Shërbimin Korrektues të Kosovës, si dhe të gjitha vendimet që rrjedhin nga kjo procedurë e rekrutimit.

Obligohet Ministri i Ministrisë së Adminisratës Publike dhe Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, që Brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e pranimit të këtij vendimi të bëjnë zbatimin e tij”, thuhet në vendimin e KPMSHCK-së, kopje te të cilit ka arritur të sigurojë edhe “Gazeta Blic”.

Vendimi i KPMSHCK-së

Kolegji për shqyrtimin e ankesave i përbërë nga Hajzer Salihu – kryetar, Lela Petkoviç dhe Eshref Shabani – anëtarë, Sabile Avdyli – procesmbajtëse, ka gjetur edhe një serë shkeljesh ligjore në këtë konkurs duke nisur nga mospërfshirja e ankuesit Gashi në listë të ngushtë të kandidatëve për Drejtor të Shërbimit Korrektues e deri tek përfshirja e kandidatëve të cilët nuk i kanë plotësuar kriteret e vendosura në këtë konkurs.

Kolegji për shqyrtimin e ankesave, pasi ka shqyrtuar të gjitha shkresat e bashkangjitura të lëndës, dërguar nga ankuesi dhe Ministria e Administratës Publike, ka konstatuar se ankesa e ankuesit Ali Gashi është e bazuar sepse:

Kolegji për shqyrtimin e ankesave, pasi ka konstatuar kompetencën e lëndore për shqyrtimin e ankesës së ankuesit, pas shqyrtimit të lëndës konstaton se konkursi për pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës është shpallur me datën 27.12.2017 dhe kriteret e konkursit kanë qenë të përcaktuara si në vijim:

  • Diplomë Universitare (minimum 4 vjeçare pas shkollës së mesme) apo të avancuar, e preferuar në fushat që ndërlidhen me punën e shërbimit Korrektues;
  • Së paku tetë (8) vjet përvojë pune profesionale, përfshirë pesë (5) vite në nivelin drejtues

Kolegji për shqyrtimin e ankesave, konstaton se ankuesi Ali Gashi ka plotësuar kriteret e përcaktuara me konkurs, pasi që në bazë të dëshmive të bashkëngjitura në kërkesën e punësimit ai ka më shumë se 8 vite pun profesionale dhe menagjeriale njëkohësisht, andaj me këtë rast Komisioni për Vlerësimin e Kritereve ka vendosur në mënyrë të padrejtë kur ka lënë jashtë listës së shkurtër kandidatin Ali Gashi, respektivisht duke pasur parasysh nenin 21 të Rregullores Nr. 06/2010 për Procedurat e Emërimit në Pozita të Larta Drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës i cili përcakton se: “Në Procedurën për emërimin në pozita të larta drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, përkatshmërisht zbaton dispozitat e përgjithshme për nënpunësit civil të përcaktuara me Ligjin për shërbimin civil dhe akte nënligjore për zbatimin e këtij ligji”, Komisioni për Vlerësim të Kritereve kur ka lënë jashtë listës së shkurtër ankuesin Ali Gashi ka vepruar në kundërshtim me nenin 28 paragrafin 1 nënparagrafin 1.1 dhe 1.2 të Rregullores Nr. 02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil, i cili përcakton: “Anëtarët e KPSHC-së vlerësojnë aplikacionet në bazë të kritereve në vijim: 1.1 arsimimi dhe kualifikim profesional; 1.2 përvoja e punës..

Po ashtu Kolegji për shqyrtimin e ankesave, pas vlerësimit të listës së shkurtër ka konstatuar se Komisioni për Vlerësimin e Kritereve në listën e shkurtër ka përfshirë katër kandidatë të cilët në bazë të dosjeve të kërkesave për punësim rezultojnë të mos kenë plotësuar kriteret e përcaktuara me konkurs/kriterin e përvojës së punës pas diplomimit, pasi që në shërbimin civilë për disa pozita të nivelit administrative teknik, dhe të gjitha pozitat e nivelit profesional, nivelit drejtues dhe nivelit të lartë drejtues përvojë pune njihet vetëm përvoja e punës profesionale, e cila nënkupton se fitohet vetëm pas diplomimit në fushën përkatëse, ashtu siç është parapraë edhe me nenin 5 paragrafi 1 nënparagrafin 1.5 të Rregullores Nr.05/2012 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil, I cili përcakton se “1.5 Përvoja profesionale – përcakton ërvojën e punës në ose jashtë shërbimit civil, në nivelin dhe detyra të përafërta profesionale”, lidhur me këtë Kolegji ka gjetur se kandidati Rasim Selmani posedon Diplomën e Kolegjit AAB, me të cilën dëshmohet se ka përfunduar studimet në programin Juridik të Përgjithshëm me datën 28.06.2011, kandidati Driton Bajrami posedon Diplomën e Fakultetit Juridik, me të cilën dëshmohet se ka përfunduar studimet me datën 28.06.2010, kandidati Nehat Thaçi, posedon Diplomën e Fakultetit Juridik në Kolegjin AAB me të cilën dëshmon se ka mbaruar studimet me datën 30.01.2016 dhe ka fituar gradën LLB në Juridik, dhe kandidati Burim Beleshkaj posedon Diplomën e Kolegjit AAB-Riinvest, me të cilën dëshmohet se ka përfunduar studimet në programin Juridik të Përgjithshëm me datën 28.06.2011 me çka Kolegji për shqyrtimin e ankesave konstaton se përfshirja e tyre në listën e shkurtër është bërë në kundërshtim me nenin 28 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 dhe 1.2 i Rregullores Nr.02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil si dhe neni 7 paragrafi 2 nënparagrafi 2.5 i Rregullores Nr. 05/2012 për Klasifikimin e Vendeve të Punës në Shërbimin Civil, i cili përcakton se: “2.5. Diplomë universitare, tetë (8) vite përvojë pune profesionale, duke përfshirë së paku pesë (5) vite përvojë pune në vende udhëheqëse”, thuhet në këtë vendim.

Vendimi i KPMSHCK-së
Vendimi i KPMSHCK-së

 

Vendimi i KPMSHCK-së
Vendimi i KPMSHCK-së

Po ashtu, KPMSHCK-ja konstaton se procedura e rekrutimit e shpallur në dhjetor të vitit të kaluar nga Ministria e Administraës Publike për pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, është zhvilluar në kundërshtim me Ligjin për për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës

“Kolegji për shqyrtimin e ankesave, bazuar në shkeljet e theksuara si më lartë konstaton se procedura e rekrutimit e shpallur me 27.12.2017 nga Ministria e Administraës Publike për pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, është zhvilluar në kundërshtim me nenin 18 paragrafin 1 të Ligjit Nr. 03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës i cili përcakton se: “Pranimi në Shërbimin Civil mbështetet në parimet e meritës, me shpallje publike të pozitave të lira, me transparencë të procesit, me objektivitet dhe paanësinë e komisionit testues, mosdiskriminimin e kandidateve dhe të drejtën për t’u ankuar në fund të procedurës”, si dhe në kundërshtim me nenin 4 paragrafi 1 dhe 2 të Rregullores Nr. 06/2010 për Procedurat e Emërimit në Pozita të Larta Drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës I cili përcakton se: “1. Emerimi ne pozita të larta drejtuese në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, (në tëkstin e mëtejmë: Shërbimi Civil) bëhet në bazë të parimit të meritës, që do të thotë emërim i personit më të mirë për një pozitë të lartë drejtuese si dhe njohje e rezulutave të nënpunësve civilë gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre. 2 Nënpunësit e pozitave të larta drejtuese punësohen në bazë të peritës pasi t’i jenë nënshtruar procedurës përzgjedhese të përcaktuar në bazë të Ligjit dhe akteve përkatëse nëligjore”, thuhet mes tjerash në vendim.

Vendimi i KPMSHCK-së
Vendimi i KPMSHCK-së

Thaçi u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Sherbimit Korrektues të Kosovës me datën 27 prill të këtij viti. /Gazeta Blic/

09/21/2018 09:28

Sot hapet konkursi për pranimin e studentëve në master në UP