Lajme

Në veri e juglindje të Shqipërisë probleme në rrugë, përmbytje në Vlorë

02/14/2018 08:21
nga:M H

Përkeqësimi i motit pasditen e së martës shkaktoi probleme pothuajse në të gjithë Shqipërinë , me reshje shiu, breshër dhe dëborë.

Probleme të shumta u shfaqën në aksin Qafë Thanë-Qafë Plloçë. Dëbora ka kaluar mbi 30 cm trashësi, çka ka bërë që situata për qarkullimin e automjeteve të vështirësohet së tepërmi. Lëvizja e automjeteve në këtë segment mund të bëhet vetëm me zinxhirë dhe me vështirësi. 5 mjete borëpastruese janë duke punuar në terren, për të mbajtur nën kontroll situatën, por pavarësisht kësaj, problemet vazhdojnë të jenë prezente si pasojë e borës që bie dhe erës që e shpërndan mbi aksin nacional.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se për aksin Elbasan–Korçë, pavarësisht masave të marra, është shumë e rëndësishme që drejtuesit të tregohen të kujdesshëm duke reduktuar shpejtësinë, të jenë të pajisur me zinxhirë dhe të rrisin përqendrimin gjatë drejtimit të mjetit.

Intensiteti i reshjeve të borës ka qenë i lartë edhe në segmentin që të çon drejt pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës, ku situata paraqitet e njëjtë sa i takon vështirësisë së lëvizjes dhe kujdesit që duhet treguar nga drejtuesit e mjeteve. Edhe segmenti Korçë-Dardhë vazhdon të jetë i kalueshëm vetëm me zinxhirë.

Në orët e vona të së martës, në qytetin e Pogradecit banorët denoncuan në ‘Ti raporton’ se rrugët nuk po pastrohen. Disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike në zonën e Devollit dhe në rrethin e Pogradecit. Në Stërblevë të Librazhdit, bora arrin 70 cm, ndërsa në fshatin Jagodinë të Elbasanit, u përmbytën 30 ha tokë bujqësore nga përroi i Llixhës.

Në Shkodër u bllokua aksi Shkodër-Theth dhe Shkodër-Breg Lumi. Disa akse në veri dhe verilindje janë të kalueshme me zinxhirë. Lartësia e borës në aksin Tunel-Kalimash është 20 cm, por rruga është e kalueshme dhe borë-pastrueset janë në punë.

Në Dibër, aksi nacional Qafë Bualli-Martanesh dhe Ura e Qytetit-Zerqan, u bllokuan gjatë pasdites. Në pikën doganore të Trebishtit pati një bllokim të përkohshëm të aksit rrugor, raporton TCH, transmeton Klan Kosova.

Nga reshjet shumë të dendura të rëna gjatë mesditës, në qytetin e Vlorës ka pasur rritje të nivelit të ujit në disa rrugë. Në zonën Dukat-Orikum të gjitha familjet të cilat kanë banesat afër lumit të Izvorit, janë paralajmëruar të marrin masat për largimin e bagëtive dhe largimin nga banesat, pasi reshjet do të vazhdojnë.

02/21/2018 19:41

Alarm për përmbytje në disa shtete amerikane