Cult

‘Ne të lartësojmë vetëm kur e kuptojmë se vuan nga sëmundje e pashërueshme dhe të duam vetëm kur kuptojmë se vdes’

04/16/2020 13:02
nga:L I

Shkruan: Arben I Kastrati

Jetoi para kohës. Dhe si të gjithë ata që jetuan para kohës, nga zhgënjimi, përfunduan të fundosur në dhimbje. Fatkeqësisht, arti është si komunizmi, i vret idhtarët e vet më të devotshëm.

Fatkeqësisht, sikur Violeta, do të përfundojnë dhe do të largohen, artistët. Artistët karakterizohen për ndjeshmërinë e lartë që kanë, dhe kjo nuk i lejon të lëndojnë askë, përpos vetes. Janë shumë krenarë për të kërkuar ndihmë. Krenaria është mallkim.

Të jetuarit para kohe, artistët e vecantë dhe të suksesshëm i bënë të paragjykohen. Paragjykimi i (vet)izolon artistët. Artisti futet në (vet)izolim, sepse nuk mund të përballet me dhimbjet që i ja shkakton realiteti.

Violeta, sado rebele që dukej, ishte e ndjeshme. Artisti, largohet nga realiteti, duke mos dashur që ta amnistojë atë. Në përballje me rrethanat, në pamundësi për t’i rezistuar trishtimit, ajo u lëndua. Dhe vazhdoi të rronte e lënduar. Arriti të krijonte atë që gjithë njerëzit e ditur dhe rebel e kanë përjetuar, (vet)izolimin e detyruar, nga njerëzimi.

Mënyrën e jetesës që zgjodhi, ishte domosdo, ishte mundësia e vetme që besoi se do t’ja shuante dhimbjet, që të lirohej nga përditshmëria që vret. Nuk mund ta përballonte poshtërimin ndryshe. Ajo jetoi duke u shtirur, e rrethuar nga mediokritetet. Ajo, sikur të gjithë ne, nuk e jetonte jetën, e shtyente jetën.

Violeta ishte e pamëshirshme dhe nuk bënte kompromis me të vërtetën. Në kombinim me guximin dhe dijen, një kombinim i frikshëm për kohën dhe gjininë, krijoi art dhe e dokumentoi të vërtetën tonë, atë që s’jemi. U paragjykua, u gjykua dhe u dënua, njëkohësisht.

Kur këndonte, e gjykonim. Kur shkruante për të vërtetën tonë, e gjykonim. Kur shfaqej, e gjykonim. Kur u tërhoq, nga pamundësia, e gjykonim. Shpresoj tani ta lëmë të qetë. Tani do ta lëmë të qetë, me siguri. Ne të lartësojmë vetëm kur e kuptojmë se vuan nga sëmundje e pashërueshme dhe të duam vetëm kur kuptojmë se vdes. Violeta, tashmë ka vdekur. Na lejohet ta duam.
Të qoftë dheu i lehtë! /