Lajme

Në SHBA po hetohet një skemë ryshfeti, përfshihet edhe Shtëpia e Bardhë

12/02/2020 09:32
nga:Sh Xh

Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara po heton një skemë të mundshme të ryshfetit që përfshin kontribute politike në këmbim të faljes presidenciale, sipas disa dokumenteve të gjykatës.

Dokumentet e gjykatës janë redaktuar para se të publikohen, dhe emrat e të dyshuarve janë fshirë me ngjyrë të zezë.

Nuk ka asnjë referencë për presidentin amerikan, Donald Trump, ose për fushatën e tij. Por, dokumentet i referohen një “skeme të fshehtë lobimi” nga dy individë, të bërë ndaj “zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë” për të fituar “falje ose heqjen e dënimit” nga presidenti për një individ të paemëruar.

Të dyshuarit, njëri nga ata që është avokat, përmendën “kontribute të konsiderueshme të fushatës së kaluar” dhe “pritje të kontributeve thelbësore politike në të ardhmen” në këmbim të faljes presidenciale ose heqjes së dënimit, thuhet në dokumente.

Është e paqartë se si zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë iu përgjigjën ofertës së supozuar të ryshfetit. Gjykatësja e Qarkut në Uashington, Beryl Howell, lëshoi dokumentet e redaktuara në një urdhër që ajo e përshkroi si një hetim “ryshfet për falje” i cili ka vazhduar të paktën që nga muaji gusht.

Presidentët kanë autoritet të gjerë kushtetues për të ofruar falje federale dhe praktika është e zakonshme. Me vetëm disa javë të mbetura në presidencën e tij, Trump pritet të shpallë një mori faljesh, përfshirë edhe ndaj aleatëve politikë.