Lajme

Në PDK tashmë është vendosur: Kadri Veseli do të zgjidhet kryetar

03/14/2019 17:26
nga:A. R.

Gjatë muajit të ardhshëm Partia Demokratike e Kosovës pritet të përfundojë procesin e zgjedhjeve të brendshme. Kështu ka thënë për “Gazeta Blic”, nënkryetari i kësaj partie, Uran Ismaili.

Ai, tha që procesi i zgjedhjeve të brendshme ka shkuar sipas planifikimeve të tyre.

“Zgjedhjet realisht janë duke shkuar ashtu siç kemi planifikuar në një formë shumë të mirë, kemi arritur një përqindje të madhe të nëndegëve që tashmë janë themeluar, po besojmë që sipas planifikimeve tona në muajin e ardhshëm do të jemi në gjendje që t’i përfundojmë ato dhe t’i nxjerrim organet e reja të partisë”, ka thënë Uran Ismaili për “Gazeta Blic”.

Ismaili deklaroi se brenda PDK-së, janë të një mendimi që Kadri Veseli duhet ta udhëheq partinë edhe për një mandat, teksa shtoi se gara është demokratike dhe si e tillë i lejohet çdo kujt që të kandidojë për kryetar të partisë.

“Kjo është një garë demokratike dhe si e tillë çdo kujt i lejohet, ka një mendim në PDK dhe në anëtarësinë që Kadri Veseli është kandidati më i mirë, kandidat i cili do ta ketë besimin e gjithë anëtarësisë të PDK-së, që ta udhëheq partinë edhe për një mandat të plotë. Por, si garë e lirë që është çdo kush mund të kandidojë”, ka pohuar ai.

Uran Ismaili

Vlen të përmendet fakti se Kadri Veseli është zgjedhur kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në vitin 2016, pas  Hashim Thaçit i cili ka drejtuar partinë për 16 vite radhazi./Gazeta Blic./

09/21/2019 22:39

Veseli nga Ferizaji: PDK-ja është e vetmja që prioritet e ka luftimin e korrupsionit dhe nepotizmit