Lajme

Në Malishevë do të ndërtohen 40 banesa për raste sociale

10/11/2018 12:31
nga:Gazeta Blic

Pas përfundimit të të gjitha procedurave, sot është nënshkruar kontrata për ndërtimin e qendrës së banimit social në Malishevë, e cila do t’i ketë 40 banesa, të dedikuara për rastet sociale, të cilat e kanë problem strehimin.

Marrëveshja është nënshkruar në mes të Komunës së Malishevës dhe operatorit ekonomik N.N. “Themeli”, përkatësisht nënkryetarit të komunës, Hajdin Berisha dhe pronarit të kompanisë fituese për ndërtimin e objektit të banimit social.

“Për mua është një moment shumë i rëndësishëm, pasi tashmë janë kryer të gjitha procedurat dhe sot po e nënshkruajmë këtë kontratë për ndërtimin e qendrës së banimit social, një prej projekteve më të mëdha për këtë vit dhe përfundimisht do të kemi mundësi që të sigurojmë banim për 40 familje në nevojë”, ka thënë nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, me rastin e nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e kësaj qendre të banimit. Qendra e banimit social, me 40 banesa dhe infrastrukturën e nevojshme përcjellëse, do të kushtoj rreth 650 mijë euro dhe bashkë financohet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komuna e Malishevës. Bazuar në kontratën e nënshkruar, ky projekt është dy vjeçar, ndërsa punimet pritet të fillojnë nga java e ardhshme, varësisht nga kushtet atmosferike.

10/31/2018 14:35

Kërkohet ruajtja e tokës bujqësore