Nën organizimin e Komunës së Klinës, Asociacioni Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” dhe Këshillit të Donatorëve nga Diaspora- Zvicër, për nderë të 31 vjetorit të Lëvizjes së Pajtimit të Gjaqeve në Kosovë, në qendër të qytetit të Klinës është bërë zbulimi i bustit të atdhetarit e pajtimtarit, profesor Anton Çetës.
Në këtë organizim kanë marr pjesë Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, z. Fadil Gashi, nënkryetari, z. Besim Hoti, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale përfaqësues të Asociacionit Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” nga Klina dhe Këshillit të Donatorëve nga Diaspora- Zvicër, mixha Halil Krasniqi, përfaqësues të OVL-UÇK, klerikë fetarë, personalitete të kulturës, politikës dhe qytetarë.
Kryetari i Komunës, Zenun Elezaj, ndër të tjera tha se Anton Çeta e atdhetarët tjerë filluan misionin jetësor, pajtimin e shqiptarëve, duke trasuar rrugën e bashkimit të shqiptarëve kundër armikut shekullor dhe lirisë e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
“31 vite më parë, me nismën e profesorit, shkrimtarit e njeriut të urtë, Anton Çetës, kishte filluar në gjithë Kosovën një aksion fisnik, humanitar e kombëtar për pajtimin e gjaqeve e ndaljen e vëllavrasjes.
Në këtë kohë, kur pushtuesi serb kishte filluar marrjen e masave represive, atdhetarët shqiptarë filluan ngritjen e vetëdijes kombëtare. Viti 1990 bëri bashkë intelektualë, akademikë, studentë, fshatarë e aktivistë, me një mision jetësor e kombëtar, pajtimin e shqiptarëve e ndaljen e hasmërive.
Pikërisht kur pushtuesi synonte të na përçante e të na sundonte, Anton Çeta e atdhetarët tjerë, filluan misionin jetësor, pajtimin e shqiptarëve, duke trasuar rrugën e bashkimit kundër armikut shekullor, lirisë e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
31 vite pas kësaj ngjarje që bashkoi popullin shqiptar e dha një ndihmesë jashtëzakonisht të madhe në ngjarjet e mëvonshme, Anton Çeta po na bashkon prapë në Klinë.
Unë falënderoj përzemërsisht Forumin e Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” në Klinë dhe Këshillin e Donatorëve në Zvicër, dhe jam jashtëzakonisht i lumtur për vendosjen e bustit të këtij njeriu të urtë e atdhetar të madh në Klinë, këtu pranë shtatores së humanistes së madhe shqiptare, Nënë Terezës.
Të dy, si profesor Anton Çeta ashtu edhe Nënë Tereza, kanë lënë pas vetës shembujt më të mirë, jo me fjalë por me vepra konkrete, se si duhet të punohet për një të ardhme të ndritur e të qetë, si duhet të punojmë për të mirën e përgjithshme, duke i shtrirë dorën e pajtimit e ndihmës njëri tjetrit.
Veprat e tyre për ne janë udhë rrëfimi i duhur”, tha kryetari Elezaj.
Ne emër të Rinisë së Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve, Have Shala, tha se profesor Anton Çeta dhe pajtimi i gjaqeve kanë emërues të përbashkët, paqen.
Pal Canaj, nga Asociacioni Forumi i Intelektualëve “Lugj Gurakuqi” në Klinë, në fjalën e tij tha kontributi i Anton Çetës në pajtimin e gjaqeve është madhor.
Po ashtu, për kontributin e profesor Anton Çetës foli edhe Gani Nikqi, nga Këshilli i Donatorëve në Diasporë.
LEXO EDHE:
Haradinaj: AAK e hapur për bisedime me Kurtin në lidhje me dialogun