Opinion

Ne kemi kapur ariun, ju kërkoni gjurmët!

04/14/2018 21:44
nga:Visar Berisha

Shkruan: Visar Berisha

 

Ka më pak se një vit, që nga qershori e këndej, që Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur të ndërtojë, mbrojë dhe përfaqësojë platformën opozitare në vend.

Sot, të gjitha matjet tregojnë se populli opozitar është shumicë. Kjo shumicë është me LDK-në. Ose thënë më drejt, LDK është kolona vertebrale e kësaj shumice. Ky është një fakt i matshëm.

Ka edhe tjerë si ky; Lidhja Demokratike e Kosovës e ka ndjerë në vazhdimësi por që nga 22 dhjetori është e bindur se me këtë kastë politike në pushtet Republika është e rrezikuar dhe e pashpresë. Po ashtu, LDK e ka të qartë se vendit nuk i duhet një rotacion qeverisës por një kapërcim i madh mentalitetesh qeverisëse. Çkapja e shtetit, barazia dhe integrimi europian nuk arrihen nëse një taborr zëvendëson tjetrin. Ky vend ka nevojë për qeveri të rezistencës ndaj të keqes. E, për këtë, LDK-së i duhet kohezioni qytetar, pra i duhet LDK+ (të gjithë ata që opozitarizmin e kanë me sistemin kleptokratik e jo veç me individë të këtij sistemi).

Por, e gjithë kjo nuk arrihet nëse e krejt media në Kosovë dhe përtej saj shpërqendrojnë opinionin publik nga ariu që LDK e ka futur në kafaz dhe po ia numëron ditët, drejt një gare të paqenë, realisht të paqenë për ku di se çka a për kënd.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk organizon sivjet zgjedhje të brendshme. Ajo sivjet do ndryshoj kahjen e Republikës përmes votës qytetare. Paqësisht por radikalisht.

Si dhe çka duhet bërë që të vijmë deri te kjo?! Hajde, këtu ta bëjmë debatin politik e social.

Kush nuk dëshiron të jetë vetëm shikues i këtij teatri politik duhet t’i ofertoj LDK-së, si forca reale e shumicës opozitare, projektin e vet, idetë për të ardhmen. Kështu po, mund t’i ndërrojmë epokat.

Por jo me diversione, ju lutem. Ato e tkurrin fuqinë tonë dhe ushqejnë ambicie pa përmbajtje.

07/21/2018 18:52

Shkaktarët e stresit në punë