Cult

Në Deçan nis festivali “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”

05/04/2018 20:45
nga:M H

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës se Deçanit, sot ka nisur edicioni i 8-të i festivalit folklorik gjithëkombëtar “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzen”, i cili do të zgjasë tri ditë me radhë.

Hapjes së këtij festivali i parapriu defileu i grupeve kulturore artistike dhe rapsodëve që do të marrin pjesë në këtë edicion.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se ky festival ka edhe një dedikim të veçantë për dëshmorin Luan Haradinaj, i cili u vra më 6 maj të vitit 1997.

Ramosaj tha se komuna që ai udhëheq do të vazhdojë me organizimin e aktiviteteve të tilla nga të cilat është brumosur edhe liria për atdheun.

Ramosaj: Ky festival i dedikohet edhe Luan Haradinajt

 

“Të gjithë ju pjesëmarrës garues dhe ansamble që këtij festivali që na keni nderuar me prezencën e juaj u jam mirënjohjes në emër të qytetarëve të Deçanit. Ky festival kushtuar Dervish Shaqës dhe Demush Nezirit e ka edhe një dedikim për gjeneralin Luan Haradinaj, i cili më 6 maj të vitit 1997 ka rënë në kufi dhe ky dedikim nuk është krejt i rastësishëm, sepse rapsodët e brezit të Dervish Shaqës dhe Demush Nezirit. Këta kanë bërë që me këngën e tyre me na e brumos liridashjen në shpirt. Deçani do t’iu jetë gjithmonë mirënjohës dhe Deçani nuk do të ndalet me organizimin e këtyre aktiviteteve”, u shpreh Ramosaj.

Festivali nisi me këngë kushtuar dëshmorit të kombit, Luan Haradinaj e cila ishte kënduar nga këngëtari deçanas, Jeton Kuçi i cili ditë më parë ka ndërruar jetë.

Ky festival gjithëkombëtar, i cili ka karakter garues, mblodhi shoqëri kulturore nga të gjitha trojet shqiptare.

Në natën e parë të këtij festivali u prezantuan gjithsej tetë shoqëri kulturore, të cilët interpretuan këngë e valle popullore.

Ansamblet “Dëshmorët e Kombit”, “Rugova”, “Sharri”, “Dervish Shaqa”, ishin disa që u prezantuan sonte në natën e parë të festivalit.

Ndryshe, festivali “Eshkë e ndezur mbi Shkëlzenin” i dedikohet rapsodëve të folklorit shqiptar Dervish Shaqa e Demish Neziri.

08/09/2018 21:25

Bllokohet rruga në këtë qytet të Kosovës, shkak nusja!