Lajme

Në 2019 Gjykata Speciale i shpeshtoi ftesat, deputetët “pishman” që e votuan

01/01/2020 16:38
nga:B. D

Deputetët e legjislaturës së pestë të Kuvendit të Kosovës, më 3 gusht të vitit 2015 kishin votuar Gjykatën Speciale, e cila u përkrahë me 82 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim, ku prej 120 deputetëve vetëm 117 prej tyre ishin të pranishëm në seancë atë ditë, shkruan GazetaBlic.

Kundër themelimit të kësaj gjykate ishin tri partitë politike opozitare në atë kohë, Lëvizja Vetëvendosje (VV), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën.

Që nga ajo kohë, ftesat nga Gjykata Speciale nuk kanë të ndalur, e në vitin 2019 ato edhe u shpeshtuan.

Specialja vitin që lamë pas, preku edhe liderët e shtetit, kështu duke detyruar edhe kryeministrin tashmë në detyrë, Ramush Haradinaj, të jap dorëheqje nga pozita e kreut të qeverisë.

Haradinaj u ftua në cilësinë e dëshmitarit, ndërsa dorëheqja e tij erdhi si shkak i ftesës së bërë nga Gjykata Speciale, e që Haradinaj u arsyetua se për të dëshmuar nuk do të shkoj si kryeministër i Kosovës, por vetëm si luftëtar i UÇK-së.

Një ftesë e tillë iu bë edhe ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli, por që ky i fundit nuk tregoi në çfarë cilësie u ftua.

E kundër kësaj gjykate ishin shprehur shumë ish-luftëtarë e veteranë të UÇK-së, ndër to më e zëshmja ishte dhe vazhdon të jetë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK).

Nënkryetari i OVL-UÇK, Nasim Haradinaj, në një intervistë për GazetaBlic ka folur për pakënaqësitë që kishin pasur ndaj kësaj gjykatë që nga fillet e saja.

Ai ka thënë edhe njëherë se nuk i besojnë kësaj gjykate dhe se sipas OVL-së, Specialja është gjykatë raciste dhe plotësisht politike.

OVL vazhdimisht ka përsëritur se gjykata po mundohet të barazoj viktimën me agresorin, ndërsa kritikon deputetët të cilët i hapën rrugë Speciales.

“Ne nuk e njohim këtë gjykatë, është gjykatë raciste, nacionale dhe është politike. Është thjeshtë për të barazuar viktimën me agresorin, ne nuk e njohim këtë gjykatë, por për shkak se deputetët faqezi që kanë nënshkruar neve na duhet të paktën të përgjigjemi për këtë gjykatë”, thotë ai.

Haradinaj tregoi se ka disa deputetë që tashmë janë të penduar që votuan pro themelimit të kësaj gjykate, por që sipas tij tashmë është shumë vonë për ta, madje për të ata janë edhe tradhtar.

“Po, ka deputetë që janë pendu, por pendimi nuk është shpëlarje e mëkateve, ajo shkon barabar me tradhti, ata kanë tradhtuar”, tha Haradinaj për GazetaBlic.

Nënkryetari i OVL-së thotë se të gjithë e dinë se kush ka kryer krime, ndërsa Serbia në historinë e saj njihet për origjinën barbare.

“Fundin e Speciales e shohim një vendim i ardhur nga politika, siç politikën e ka, mendoj se shqiptarët nuk do t’i zgjedhin jashtë rrjedhave që kanë pas, ne kemi pas luftë, një luftë të imponuar, ne nuk po themi që ka luftë të pastër, por pamundësia jonë në pikëpamje logjistike ka qenë që ne të bëjmë krime, dihet kush ka kryer krime”, tha ai.

“Nuk është luftë që i ka ndodh Serbisë për të parën herë, ka qenë e pesta herë me ne që kanë bërë luftë, deri sa të njihen që janë popull i origjinës barbare e në këtë kuptim ata po bëhen si viktima, dihet ku janë të pagjeturit, kështu që ne mendojmë se është e padrejtë”, shton Haradinaj.

Ai ka komentuar dorëheqjen e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili kishte dhënë dorëheqje nga posti i kreut të qeverisë në momentin që kishte pranuar ftesën nga Gjykata Speciale në Hagë.

Haradinaj thotë se është e drejta e zyrtarëve të lartë të vendosin nëse duan të heqin dorë nga posti i tyre në rast se marrin një ftesë të tillë, ndërsa shton se për të mos ndodhur kjo është dashur të mendohet secili në momentin që kanë votuar pro kësaj gjykate.

“Jo nuk mendojmë ashtu, ato janë çështje personale mbeten anonime, Haradinaj ka dhënë dorëheqje, por Veseli nuk dha, këto janë sipas atyre që e shohin vetë dhe është dashur që këta politikan që sot po i bëjnë këto gjëra është dashur që me kohë të mos bëj votimin e kësaj gjykate në Parlamentin tonë, ky është turpi dhe ky turp është i pozitës dhe opozitës, sepse as opozita nuk e ka kryer punën e saj ajo ka pas detyrë me i bind që kjo gjykatë të mos votohet, edhe opozita është fajtore por jo edhe aq sa ai që e ka nënshkruar”, tha Haradinaj.

Ai thotë se nuk kanë një shifër të saktë se sa persona deri më tani janë ftuar që të dëshmojnë në Hagë, mirëpo nga ta sa janë lajmëruar në OVL, numri ka shkuar mbi 280 persona.

“Nuk kemi shifra të sakta, ne i kemi shifrat vetëm për ata që janë lajmëruar tek ne me vullnet të tyre, ne nuk kemi shifër zyrtare, por sipas asaj që kemi deri tani janë mbi 280 persona të ftuar nga Gjykata Speciale”, tregoi ai.

Haradinaj përmendi se në momentin që të formohet qeveria e re në krye me kryetarin e VV-së, Albin Kurtin, kërkesa e parë që do të jetë nga OVL do të jetë ajo për shfuqizimin e kësaj gjykate, e sipas tij kjo mund të arrihet brenda një vikendi me mbledhjen e 15-30 mijë nënshkrime.

“Në momentin që do të vij qeveria Kurti, ne kemi për detyrë me ia kërku me shfuqizu sepse është vetë ai që ka premtu se unë nuk do të iu qoj në gjykatë, kështu që OVL të parën kërkesë që shkojmë atë ditë me ia uru qeverinë do të jetë kjo kërkesë me u shfuqizu kjo gjykatë, çdo gjë që ai kërkon nga OVL do i ketë në tavolinë, neve na kushton vetëm një vikend me i mbledh minimum 15-30 mijë nënshkrime kundër kësaj gjykatë”, tha ai.

Por, se sa mundet kjo të realizohet, Haradinaj thotë se këtë është dashur ta mendoj Kurti kur kishte premtuar një gjë të tillë.

“Këtë çështje është dashur ta mendoj Kurti kur ka premtu, kjo nuk është çështje e jona”, shton ai./GazetaBlic

06/11/2020 22:47

Vozitën me shpejtësi të madhe, deputetët përfundojnë me makinë në pishinë