Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për një mandat të dytë si kryetar i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka prezantuar disa nga arritjet e qeverisjes së tij gjatë pesë viteve të fundit, duke theksuar zgjerimin e ndriçimit publik, asfaltimin e rrugëve dhe rikthimin e investitorëve privatë në këtë komunë.
Për emision “Expose”, prodhim i GazetaBlic, Bulliqi tha se janë bërë investime të konsiderueshme në infrastrukturën bazike:
“Pa i lënë anash investimet e ndryshme në rrjetin e ndriçimit publik, diku rreth 380 kilometra kemi zgjatësinë e këtij rrjeti, me dhjetëra kilometra rrugë të asfaltuara. Krejt këto janë punë të cilat janë bërë gjatë kësaj periudhe 5-vjeçare,” tha ai.
Një ndër çështjet që, sipas tij, përfaqëson një kthesë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të komunës, është rikthimi i investitorëve privatë në Podujevë, pas një periudhe të gjatë mungese.
“Kemi bërë edhe një punë të jashtëzakonshme që mendoj se është një prej më të mirave që kemi bërë si qeverisje lokale, sepse për herë të parë, pas mbi më shumë se 20 vitesh, Podujevës i kthehen investitorët privatë, të cilët kishin ikur nga kjo komunë për arsye që ne nuk i dimë, por që mund të nënkuptohen,” shtoi Bulliqi.
Ai gjithashtu përmendi ndërtimin e rrugës Prishtinë–Podujevë, duke e cilësuar atë si një projekt që do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e qarkullimit dhe zhvillimit ekonomik të zonës.
“Ndërtimi i rrugës Prishtinë–Podujevë do ta lehtësojë edhe më tepër qarkullimin e njerëzve, të cilët po e shohin se këtu po punohet dhe po zhvillohet,” përfundoi ai.
Intervista e plotë:


