Lajme

Ndikimi i rrezeve të Rëntgenit te fëmijët në Kosovë, flet specialisti i radiologjisë

05/06/2024 21:07
nga:N K

Rrezet X janë valë elektromagnetike, me një lloj specifike të rrezatimit. Diagnostikimi i bazuar në rrezet X (radiografia), e cila gjeneron pamje të brendshme të trupit, në veçanti pjesën e studiuar në forma të ndryshme hijezimesh të bardhës dhe të zezës. Rrezatimet e rëntgenit në shtetin e Kosovës realizohen në spitalet publike, qendrat e mjekësisë familjare dhe spitalet private.

Në lidhje me efektet e rrezeve të Rëntgenit apo rrezeve “X” dhe masat mbrojtëse të cilat duhet të mbrohen fëmijët, për Gazeta Blic ka folur specialisti i radiologjisë, Shaban Lenjani.

Sipas specialistit të radiologjisë, profesionistët e fushës së radiologjisë duhet të kenë kujdes në kontrollet e fëmijëve në këtë trajtim mjekësor.

“Rrezet “X” apo rrezet e Rëntgenit që përdoren në diagnostikën radiologjike nuk mund të konsiderohen absolut të rrezikshme por që janë me efekte të vogla anësore dhe mund të shkaktojnë ndonjë dëm të vogël, por që nuk mund konstatohet menjëherë pas aplikimit. Nëse përdoren sipas udhëzimit protokollar dhe masave mbrojtëse, duke llogaritur dobinë diagnostike mund të përdoren. Te fëmijët duhet indikuar me kujdes përdorimin e tyre, vetëm në indikacion shumë të nevojshëm. Duhet përdorur nga personeli profesional që ka përvojë të mirë profesionale, në mënyrë që radiograma e përfituar të jetë cilësore për interpretim dhe të mos ketë nevojë për përsëritje të radiografisë”, tha ai.

A mund të ketë efekte anësore Rëntgeni te fëmijët?

“Po, ka efekte anësore të vogla që nuk mund të konstatohen aty për aty. Në dozat radiografike të tolerueshme nuk pritet të ketë efekte anësore serioze. Efektet anësore mund të jenë të riparueshme nga organizimi i fëmijës, por kurrë nuk mund të dihet. Ndoshta nga një dozë e vogël e lejueshme e rrezeve rëntgen mund të pësojë mutacion gjenetik organizmi i fëmijës”, theksoi ai.

Specialisti i Rëntgenit ka treguar masat mbrojtëse që duhet të ndërmerren nga radiologët para se të zhvillojnë një ekzaminim radiologjik.

“Masat të cilat duhet të ndërmarrë për kujdes para se të bëhet një ekzaminim radiologjik, janë: radiologu duhet të vlerësojë dhe filtrojë kërkesën rëntgengrafike apo ekzaminimin radiografik se a ka nevojë të domosdoshme për ekzaminim pacienti. Gjithherë vjen në shprehje ekzaminimi radiografik pas ekzaminimit objektiv dhe laboratorik. Duhet bërë ekzaminimi nga rëntgen-teknikë të përgatitur profesionalë dhe me përvojë. Duhet mbrojtur gonadet e fëmijës me mbrojtëset e plumbit në komblik për të dy gjinitë: testisët tek djemtë dhe vezoret tek vajzat. Gjithashtu duhet mbrojtur edhe truri, sytë dhe gjëndra tiroide me mjete mbrojtëse të plumbuara. Duhet zgjedhur dozën adekuate të eksponimit të rrezeve rëntgen konform trashësisë së regjionit, llojit të indit dhe projeksionit. Duhet ngushtuar fushën e rrezeve në sipërfaqen e interesimit të regjionit të trupit që do të ekzaminohet”, përfundoi Lenjani./GazetaBlic/