Lajme

Ndihma për skemat pensionale, njëra nga masat e pakos mbështetëse për krizën e krijuar nga inflacioni

10/27/2021 11:43
nga:M K

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ishte në konferencë për medie pas mbledhjes së 42 të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ai e konfirmoi se vendimi i marrë sot, pra ndarja prej 100 euro për më shumë se 200 mijë pensionmarrës është një nga masat e pakos mbështetëse për krizën e krijuar nga inflacioni, masa këto që i paralajmëroi edhe kryeministri Kurti një ditë më parë, përcjell GazetaBlic.

Qeveria ndan nga 100 euro për përfituesit e skemës pensionale për muajin Nëntor

“Ajo që është e rëndësishme është fakti se do të ketë ndihma dhe rritje në skemat sociale. Për më shumë se 200 mijë pensionmarrës, kjo është sikur pensioni i 13. Ditë më parë, edhe Franca mori një vendim të përafërt, pra ndau nga 100 euro për familjet që kanë më pak se 2000 euro të ardhura mujore.

Pra, mund të duket se 100 euro janë pak, megjithatë, është ndihmë e madhe për pensionistët dhe vet familjet e tyre, që do ta kenë më të lehtë përballjen me krizën e krijuar nga inflacioni. Pra, ky vendim është pjesë e masave të pakos mbështetëse”, përfundoi Murati.

/GazetaBlic/