Sporti

Ndeshje fantastike në këtë fundjavë në basketbollin kosovar

01/23/2026 14:12
nga:Mergim Rreci

Në fundjavë do të zhvillohet xhiroja e 11-të në Superligën e Kosovës në basketboll.

Derbi kryesor i kësaj xhiroje do të zhvillohet të dielën në Mitrovicë nga ora 17:00, ku Trepça do t’i bëjë konak Bashkimit nga Prizreni.

Aktualisht, Trepça prin në renditje me 13 fitore e tri humbje, kurse Bashkimi është i dyti me 11 fitore e pesë humbje.

Rahoveci 029 të shtunën nga ora 17:00 e pret Sigal Prishtinën.

Rahovecianët janë në vendin e fundit me pesë fitore e 11 disfata, ndërkohë Sigal Prishtina gjendet në vendin e gjashtë me shtatë fitore e nëntë humbje.

Bora – Peja është dueli tjetër që luhet të shtunën, por nga ora 19:30.

Pejanët zënë vendin e tretë me tetë fitore e tetë humbje, kurse Bora të katërtin me statistika të njëjta.

E dueli që e përmbyll javën e 11-të është ai mes Yllit dhe Vëllaznimit që luhet në Suharekë.

Ylli është i pesti me shtatë fitore e nëntë humbje, kurse Vëllaznimi i parafundit me pesë fitore e 11 humbje.