Euro2024

“Ndeshje e denjë për finale”, De La Fuente: Mëkat që Kroos po tërhiqet, e njohim Gjermaninë

07/04/2024 21:28
nga:Mergim Rreci

Luis De La Fuente dhe Spanja e tij do kërkojnë që të largojnë nga gara Gjermaninë, që e luan këtë Europian në shtëpinë e saj.

Trajneri i “La Roja” në konferencën për shtyp rezervoi fjalë mjaft të mira për kundërshtarin, por në krahun tjetër tregoi besimin që ka se të besuarit e tij mund ta kalojnë me sukses dhe këtë ndeshje të vështirë.

“Mendoj se do të jetë një ndeshje e ekuilibruar. Mund të ishte dhe finalja e Europianit një përballje e tillë. Gjermania është mjaft e rrezikshme në minutat e para dhe ndaj duhet kujdes maksimal dhe t’i përgjigjemi me të njëjtën mënyrë. Duhet të jemi vigjilent që në minutën e parë. Ne e njohim ekipin e tyre, por ne do të bëjmë punën tonë. Qëllimi ynë do të jetë të shfrytëzojmë momentet e tyre të dobësisë. Jemi jashtëzakonisht të përqendruar për këtë ndeshje”.

Trajneri i Spanjës, po ashtu foli dhe për Toni Kroos, duke treguar se ndjen keqardhje që një lojtar i tillë, i cili performon në ato nivele nuk do të jetë më në aktivitet pas Europianit.

“Ai është një lojtar i klasit botëror. Një ditë çdo futbollist e lë futbollin, por futbolli nuk i lë kurrë lojtarët si Kroos… Ai ka shumë talent. Kur futbollistët e kanë përballë një lojtar si ai ndihen në vështirësi. Është mëkat që ai po tërhiqet, do të doja të vazhdoja ta shikoja atë duke luajtur”.

Së bashku me De La Fuente në konferencë për shtyp ishte dhe Dani Carvajal, mbrojtësi i Spanjës, i cili deklaroi se vetëm detajet do bëjnë diferencat në fushën e lojës, duke i konsideruar ekipet e barabarta.

“Kam një ndjenjë të mrekullueshme për këtë ndeshje, Të gjithë janë të qetë. Ne e dimë se duhet të luajmë një lojë të shkëlqyer për t’i mposhtur kundërshtarët tanë. Kemi një ekip që ka siguri dhe shumë energji. Mundësitë për kualifikim janë 50-50 dhe vetëm detajet do të bëjnë dallimin”.