Lajme

Ndërrim vitesh në Europë – Ylli i Macron shkëlqen, Merkel e drobitur

01/01/2018 22:09
nga:FL.B

Në Francë një i ri kap majat. Në Gjermani zonja e hekurt e Europës lufton për të kapur mandatin e katërt. BE kërkon një dorë drejtuese dhe i kthen sytë nga Parisi, jo nga Berlini.

Në fund të vitit 2017 është e qartë: Në skenën europiane ka filluar të perëndojë ylli i Merkelit. Heroi i ri për shumë proeuropianë është tani Emmanuel Macron, presidenti francez, që fitoi zgjedhjet në maj të këtij viti kundër populistes së djathtë, Marine Le Pen. Në shtator revista „Economist” në faqen kryesore publikon një foto të Macron në dritën e prozhektorëve, ndërsa në gjysmë hije ishte treguar kancelarja gjermane. Merkel me një pamje të plakur sapo kishte humbur shumë mbështetje në zgjedhjet e Bundestagut të 24 shtatorit, ndërkohë në parlament ishte futur një parti e ekstremit të djathtë, AfD.

Kjo gjendje u vu re edhe në samitin e fundit të BE në Bruksel. „Ky samit tregoi me intensitetin e tij, se mund të arrish më shumë, kur të gjithë me dëshirë duan të çojnë përpara atë që kemi të përbashkët”, foli i entuziazmuar, Emmanuel Macron në një konferencë të përbashkët me „miken e mirë”, Angela Merkel. Kancelarja gjermane u tregua shumë e përmbajtur, sepse ajo nuk e kishte në Berlin koalicionin e ri për qeverinë dhe është kancelare vetëm në detyrë. Por ajo premtoi një përgjigje për propozimet e Macron për Europën më së voni deri në qershor 2018. Edhe Merkeli e ka të qartë: „Kur Franca dhe Europa nuk kanë një qëndrim të përbashkët, as Europa nuk ecën përpara.”

Ide të reja jo merkelim

Në Francë e në skenën ndërkombëtare, Macron kërkon të çojë përpara reformat. Në një fjalim programatik,dy ditë pas zgjedhjeve të Bundestagut ai u shpreh për rilindjen europiane. Nërkohë në Berlin u desh të mblidhen çikat e koalicionit të ndëshkuar nga votuesit.”Varet nga ne që të tregojmë udhën. Bëhet fjalë për rikrijimin e një Europe sovrane, të bashkuar, demokratike”, thotë Macron. Një ushtri e përbashkët, një politikë e përbashkët financiare. Ide që Macron kërkon t’i çojë përpara në vitin 2018.

Sigurisht jo të gjithë do ta ndjekin. Në Lindjen europiane po krijohet rezistencë. Shtetet e Vishegradit (Çekia, Polonia, Sllovakia e Hungaria) nuk kanë ndonjë emocion kur dëgjojnë refrenin e Macron „Më shumë Europë”. Edhe kancelari më i ri austriak, Sebastian Kurz është kundër „më shumë Europe”, por për një „Europë më të mirë”. Shumë i bindur nuk është as kryeministri holandez, Mark Rutte. Rutte, që arriti të ndalte marshin e populistëve të Geert Wilders në mars 2017, ashtu si Merkel e sheh objektivin e Macron si shumë ambicioz. Ai e refuzon një ministër financash të Europës.

“Një shans për Europën”

Por Emmanuel Macron ia doli në 2017- n të ndalte Frontin Nacional me një „lëvizje” të prerë sipas modelit që donte ai, „Përpara”. Megjithatë rreth e një e treta e francezëve ende përkrah partinë e Le Penit, paralajmëroi ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel. „Megjithë euforinë për fitoren e Macron këtë vit, tek e vërteta bën pjesë edhe se 35% votuan partinë populistë të djathtë.” Megjithatë Macron është një shans i madh për Francën dhe Europën.

Në Itali reformat e kërkuara nga Macron gjejnë miratim, edhe si kundërpërgjigje ndaj politikës së urryer të kursimeve të ish-ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schäuble. Por për BE ato mund të kthehen në një sfidë të re, sepse mali i madh i borxheve italiane ende e mban për fyti këtë vend. Kjo nuk ka për të ndryshuar as vitin e ardhshëm. Në mars 2018 në Itali priten votime. Programe kursimi dhe reforma nuk propozon asnjë kamp politik. Përkundrazi flitet për më shumë shpenzime shtetërore. Madje lëvizja populiste e Pesë Yjeve të Beppe Grillos që kryeson sondazhet kërkon që të dalë nga eurozona.

2018 – do të përcaktojë kursin e ri

Gjatë këtij viti mbeti e pazgjidhur kriza e refugjatëve në Europë. Shtetet e Vishegradit refuzojnë të pranojnë refugjatë, megjithë një vendim të Gjykatës Europiane. Moszbatimi i këtij vendimi e trondit thellë BE, sepse ai i vë pikëpyetje besnikërisë ligjore të vendeve anëtare. Merkel kërkoi dhënien fund të refuzimit.

Merkel kërkon solidaritet, ai nuk duhet të jetë një rrugë njëkalimshme „Nuk mund të jetë kështu, që për disa tema në Europë ka solidaritet e për të tjera ai përjashtohet.” Deri në qershor 2018 grindja do të vazhdojë. Testi i vërtetë për solidaritetin do të duket në vitin 2019 kur të fillojnë negociatat për buxhetin e viteve 2020-2027. Merkel, si kryetarja e qeverisë së vendit më të madh pagues në BE mund t’i ndëshkojë vende si Polonia e Hungaria që marrin me dy duar nga buxheti europian.

Turqia, Ballkani Perëndimor

Probleme BE pritet të ketë edhe me Turqinë. Austria kërkon ndërprerjen e bisedimeve të anëtarësimit të Turqisë më BE. Vende të tjera hezitojnë. Rëndësi ka si do të sillen Gjermania dhe Franca. Merkel e ka lënë të hapur verifikimin e ndërprerjes së negociatave. Macron nuk është prononcuar ende.

Europa feston Macron jo vetëm për dinamikën e reformave, por edhe sepse ai ka marrë në dorë edhe stafetën e politikës së jashtme. Pas samitit joharmonik të NATO-s dhe vendeve të G20-s me presidentin e ri Donald Trump, Macron ka arritur të krijojë një marrëdhënie me populistin nga Uashingtoni.

Nga ana tjetër ai u shpreh hapur kundër vendimit të Trumpit për daljen nga Marrëveshja e Klimës. “Make our planet great again!” – Bëjeni planetin tonë sërish të madh” – iu drejtua ai me një fjalim televiziv edhe Shtëpisë së Bardhë. Bashkë me Angela Merkelin, Macron është angazhuar për partneritet me Afrikën, për kontrollimin e migracinit dhe pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Në këtë pikë nuk pritet ndonjë ndryshim në politikën e BE./DW

10/17/2018 19:36

Merkel: Do të bëj çmos për marrëveshjen Brexit