Lajme

Ndërmarrja ‘Trepça’ prej 5 shkurtit pa drejtor, Haradinaj thërret takim urgjent pas ankesës së sindikalistëve

03/12/2018 09:18
nga:Gazeta Blic

Ndërmarrja Trepça ka hyr në një krizë të madhe menaxheriale, pasi që në kohën kur po pritet zgjedhja e Bordit, kjo ndërmarrje ka mbetur për më shumë se një muaj pa udhëheqës. Kjo pasi që drejtorit menaxhues, Ahmet Tmava, i ka skaduar kontrata e punës me 5 shkurt 2018.

Në një situatë të tillë pa Bord dhe menaxher ishte gjetur muajin e kaluar edhe Telekomi i Kosovës, por që Komisioni Ndërministror për Ndërmarrje Publike ia kishte vazhduar mandatin edhe për tre muaj drejtorit të kësaj kompanie, Agron Mustafa, gjë të cilën nuk e ka bërë edhe me drejtorin e Trepçës.

Burime të Veriu.info nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, bëjnë të ditur se ministri Valdrin Lluka, duke e parë situatën e rëndë menaxheriale në të cilën ndodhet Trepça, ka nxjerrë vendim që për realizimin e pagave qasje në bankë t’i jep zëvendës-drejtorit të Trepçës, Miftar Hyseni dhe shefit të financave të kësaj ndërmarrje.

Përkundër përfundimit të kontratës së punës, e cila për pasojë ligjore ka edhe ndërprerjen e marrëdhënies së punës, ai po vazhdon të shkon në punë, madje po udhëton zyrtarisht me para të kësaj kompanie.
Kjo shihet edhe nga disa foto të publikuara në Twitter nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Kanada, Lulzim Hiseni, gjatë realizimit të vizitës zyrtare të një delegacioni të Kosovës të kryesuar nga ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Burime të Veriu.info bëjnë të ditur se shkuarja e jashtëligjshme si Drejtor i Trepçës në Kanada i ka revoltuar sindikalistët e Trepçës, të cilët janë ankuar në Qeveri, ku sot rreth orës 13:00 kryeministri Ramush Haradinaj ka thirrur takim urgjent me përfaqësuesit e sindikatës për ta sqaruar këtë situatë.

Në vitet para ardhjes së Tmavës si drejtor, kjo ndërmarrje kishte bilanc pozitiv të afarizmit, duke pasur 5 milionë para të gatshme në llogari bankare, përderisa tash si pasojë e krizës menaxheriale raportohet se ka rreth 15 milionë borxhe. Veriu.info më 26 nëntor 2015 kishte raportuar se Trepça i ka 1 milion euro borxh KEDS-it, i cili e kishte kërcënuar me ndërprerje të rrymës.

12/18/2018 20:06

Frashër Krasniqi: Të gjithë u çuan kundër Mogherinit përveç Vetëvendosjes